Kosova, gjatë ditëve të fundit, është përballur me mungesë të energjisë elektrike. Gjatë kësaj jave, dy institucione të rëndësishme, QKUK-ja dhe Pallati i Drejtësisë, mbeten pa furnizim me rrymë.
Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe duke ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike për qytetarët dhe bizneset. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Madje edhe institucionet kryesore që ofrojnë shërbime shëndetësore dhe drejtësie nuk janë përjashtim. Vetëm gjatë javës së kaluar, me ndërprerje të rrymës janë ballafaquar Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe Pallati i Drejtësisë në Prishtinë.
Ndërprerjet e energjisë kanë filluar të shpeshtohen në shumë komuna, por nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) nuk është dhënë asnjë sqarim nëse Kosova do të përballet me reduktime gjatë periudhës së dimrit.
Albanian Post ka dërguar pyetje tek KEDS-i për të kuptuar më shumë rreth kësaj situate dhe tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të mësuar nëse është paraparë ndonjë plan për përmirësimin e cilësisë së furnizimit gjatë dimrit, kur konsumi pritet të rritet por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.
Nga KEDS-i, shkurtimisht për AP kanë thënë se “ju njoftojmë që kemi pranuar kërkesën tuaj, adresuar tek Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ‘KEDS’, të parashtruar më dt. 22/10/2025. Në lidhje me kërkesën tuaj, ju lutem drejtojuni tek zëdhënësi, Lulzim Krasniqi”.
AP ka kontaktuar Krasniqin, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e redaksisë.
Profesor i elektronikës në njërin nga universitetet e Londrës, Shyqyri Haxha, sqaron për Albanian Post se arsyet për ndërprerjen e energjisë elektrike në Kosovë gjatë kësaj periudhe janë të shumta, duke filluar nga infrastruktura e vjetruar, niveli i ulët i investimeve, menaxhimi i mirëmbajtjes dhe rritja e kërkesës për energji.
“Sipas të dhënave të KEDS-it, humbjet teknike dhe komerciale janë reduktuar nga rreth 31.02% në vitin 2013 në rreth 18.48% në vitin 2021. Në fund të dhjetorit 2023, KEDS raportoi humbje prej 15.32% në rrjetin e shpërndarjes, ndërsa në vitin 2022 ato ishin 16.79%. Vlerësohet se, së bashku, humbjet teknike dhe komerciale i kushtojnë Kosovës rreth 90 milionë euro në vit”.
“Këto statistika tregojnë se, edhe pse ka përmirësim, niveli i humbjeve mbetet i lartë dhe reflekton mungesën e investimeve të mjaftueshme dhe nevojën për përmirësime të mëtejshme”, sqaron Haxha.

Një tjetër problem për energjinë në Kosovë janë investimet në rrjet dhe kapaciteti i tij.
“Që nga fillimi i operimit pas privatizimit, KEDS ka investuar rreth 210 milionë euro deri në fillim të vitit 2022. Kompania ka paralajmëruar investime të reja në rrjetin e shpërndarjes, me qëllim përmirësimin e stabilitetit të furnizimit dhe reduktimin e humbjeve. Megjithatë, këto investime ende nuk janë të mjaftueshme për të adresuar të gjitha nyjet problematike në rrjet, sidomos në zonat me zhvillim të shpejtë urban dhe me rritje të madhe të konsumit”.
Po ashtu, edhe rritja e kërkesës për energji paraqet sfida për qëndrueshmërinë e rrjetit.
“Në vitin 2018, përdoruesit familjarë përbënin rreth 65% të konsumit total në nivel shpërndarjeje. Analizat teknike tregojnë se rrjeti ekzistues nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar rritjen e ngarkesës për periudhën 2020–2030, për shkak të mungesës së modernizimit, mbingarkesës së transformatorëve dhe linjave që janë afër ose mbi kapacitet. Kjo nënkupton se gjatë dimrit, kur konsumi për ngrohje elektrike rritet ndjeshëm, rrjeti është më i ekspozuar ndaj mbingarkesave dhe defekteve që shpesh çojnë në ndërprerje të furnizimit”.
Haxha thekson se edhe pse ekzistojnë programe për mirëmbajtje preventive dhe modernizim të rrjetit, në praktikë ka vonesa në zbatim dhe mungesë të kapaciteteve operacionale të mjaftueshme.
“Raportet rregullatore theksojnë se mënyra e financimit dhe kuadri aktual ligjor nuk stimulojnë sa duhet investimet afatgjata në rrjetin e shpërndarjes. Kjo tregon se sfida nuk qëndron vetëm te infrastruktura fizike, por edhe te modeli i menaxhimit dhe planifikimit të zhvillimit të rrjetit”.
Sipas tij, rrjeti ekzistues ka bërë disa përmirësime gjatë viteve të fundit, por ende nuk është në gjendje të përballojë pa vështirësi rritjen e kërkesës, sidomos gjatë dimrit.
“Zonat me rrjet të vjetër, me transformatorë të mbingarkuar dhe me mungesë alternative furnizimi përbëjnë pikat më të rrezikuara. Nëse nuk realizohen investime të mëdha në modernizim dhe mirëmbajtje sistematike, ndërprerjet do të bëhen më të shpeshta sa herë që konsumi arrin kulmin”.
Haxha vlerëson se realiteti në Kosovë tregon nevojën për një plan gjithëpërfshirës për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes, me investime të qëndrueshme, automatizim të proceseve, digjitalizim të monitorimit dhe menaxhim më efikas.
“Vetëm kështu mund të sigurohet një furnizim stabil, i besueshëm dhe i drejtë për të gjithë konsumatorët”.
Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës u përballën me reduktime të energjisë elektrike.
Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milionë banorët e saj.
Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta.










