Kosova në vendin e 99-të për lirinë e mediave, Tahiri: Edhe një argument shtesë pse Qeveria Kurti s`duhet të vazhdojë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur i shqetësuar me renditjen e Kosovës në vendin e 99-të, në raportin për lirinë e mediave.

Ai ka bërë me dije se kjo është renditja më e ulët e Kosovës në dekadën e fundit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se kjo është edhe një argument shtesë se pse Qeveria Kurti nuk duhet të vazhdojë.

“Kosova në vendin e 99-të për lirinë e mediave — më poshtë se kurrë në 10 vitet e fundit. Kjo është edhe një argument shtesë – në mesin e shumë të tjerëve – pse Qeveria Kurti nuk duhet të vazhdojë. Angazhimi ynë duhet të jetë për ta bërë Kosovën #Mamirë. Dhe Kosova nuk bëhet #MaMirë me një qeveri që çdo ditë e ka mision cenimin e fjalës së lirë dhe mbytjen e zërave kritikë që vijnë nga mediat e lira. Raporti i Reporterëve pa Kufij për vitin 2025 është një kambanë e fortë alarmi: Kosova ka pësuar një tjetër rënie të thellë në renditjen globale për lirinë e shtypit, duke zbritur në vendin e 99-të – pozita më e ulët në dekadën e fundit”, ka shkruar ai, duke shtuar se ky regres nuk është rastësi.

“Ky regres nuk është rastësi. Është pasojë e drejtpërdrejtë e sulmeve politike ndaj gazetarëve, përpjekjeve për t’i etiketuar ata si “bashkëpunëtorë të armikut”, si dhe tentativave të qarta për të kapur Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për të ndërhyrë në RTK. Në këtë klimë shqetësuese, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar si antikushtetues ligjin për KPM-në ishte një fitore e madhe për demokracinë dhe për lirinë e fjalës. Pa atë vendim, Kosova sot do të ishte edhe më poshtë në këtë renditje të turpit”, ka shkruar Tahiri.