Kosova në pritje të heqjes së masave nga BE

Qeveria në detyrë e Kosovës është në pritje të hapave të mëtejshëm nga Bashkimi Evropian për heqjen e plotë të masave ndëshkuese, ndërsa tashmë kanë nisur zhvillimet e para pozitive. BE-ja ka filluar gradualisht heqjen e disa masave, ndërsa paralajmëron se hapat e mëtejshëm do të varen nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm i situatës në veri të vendit.

Në kuadër të heqjes graduale, pritet të rifillojnë takimet e nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të rikthehen projektet e asistencës teknike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që përfshijnë fusha si energjia dhe infrastruktura.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, gjatë një vizite në Kosovë më 21 maj, konfirmoi fillimin e këtij procesi, ndërsa zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha për KosovaPress se vendimet do të varen nga progresi real në terren.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, e konsideron këtë një zhvillim pozitiv, por thekson se masat duhet të hiqen tërësisht, pasi janë vendosur padrejtësisht që prej vitit 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri.

Ndërkohë, njohësja e çështjeve evropiane dhe ish-diplomatja Alma Lama thekson se ekziston mbështetja e shumicës së vendeve anëtare për heqjen e masave, por thekson nevojën për lobim të fortë nga ana e Kosovës, pasi kriza politike aktuale mund të ndikojë negativisht në këtë proces.

The post Kosova në pritje të heqjes së masave nga BE appeared first on Kosovapost.net.