Kosova në pat paszgjedhor: Asnjë diskutim zyrtar për qeverinë e re

Ngërçi paszgjedhor në Kosovë vazhdon, pa asnjë diskutim zyrtar për qeverinë e re. Opozita pranon se bisedime joformale po zhvillohen në prapaskenë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se do të qeverisë e vetme.

E ardhmja politike e Kosovës mbetet e pasigurt, pasi partitë frenohen të hyjnë në diskutime formale për formimin e qeverisë së re, duke pritur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në fundjavë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmoi rezultatet përfundimtare, të cilat i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje – aktualisht në pushtet – një epërsi me 42.30% të votave.

Megjithatë, pa një shumicë të plotë, pyetja mbetet: a do të mund të qeverisë ajo, apo dikush tjetër?

Për të formuar shumicën, Vetëvendosja duhet të sigurojë së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës. Me rezultatet e konfirmuara i ka 48.

“Pasi të certifikohen [rezultatet e zgjedhjeve], do të mund të dimë se si do të arrijmë deri te 61 [deputetët] – edhe me deklarimin e partive joserbe dhe joshqiptare, do të thotë të pakicave tjera”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo shton se, deri më tash, nuk ka pasur asnjë konsultim me partitë tjera politike për formimin e shumicës parlamentare dhe, rrjedhimisht, qeverisë së re.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë procedurat lidhur me ankesat, që i parashtrojnë subjektet politike – garuese në zgjedhje – në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në këtë panel ka tashmë disa ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, si dhe koalicioni Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (PDAK-LPB).

Trajtimi i tyre kërkon gjashtë ditë kohë nga PZAP-ja dhe eventualisht gjashtë ditë të tjera nga Gjykata Supreme, në rast se ankesat dërgohen aty.

Shumica e ankesave kanë të bëjnë me votimin me postë dhe disa prej tyre kërkojnë anulimin dhe përsëritjen e tij.

Partitë opozitare në konsultime joformale

Nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhje doli e dyta me 20.95 për qind të votave, nuk iu përgjigjen pyetjeve të Radios Evropa e Lirë rreth konsultimeve të mundshme për formimin e qeverisë së re.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila fitoi 18.27 për qind të votave, thonë se presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, për të nisur çfarëdo konsultimi për këtë qëllim.

Besian Mustafa, nga kjo parti, thotë se fillimisht i takon partisë me më së shumti vota – në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje – që të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, në mënyrë që të konstituohet përbërja e këtij institucioni, dhe më pas të tentojë të formojë qeverinë e re.

“Deri më tash, LDK-ja nuk është kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë çështje”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin ta formojë qeverinë e re, sipas tij, pritet që mandati për formimin e ekzekutivit të kalojë te partitë opozitare.

Por, edhe në këtë kontekst, shton Mustafa, nuk ka pasur konsulta zyrtare me partitë opozitare, porse janë zhvilluar vetëm takime joformale.

“Komunikime në mes partive mund të ketë dhe kjo është gjë normale. Zyrtarisht, takime për të diskutuar për formimin e qeverisë nuk kemi pasur… Vetëm pas certifikimit të rezultateve”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Pas një mbledhjeje të kryesisë më 10 mars, LDK-ja tha se pozicioni i saj është i qartë: “nuk bashkëpunon me partinë në pushtet [LVV]”.

Por, edhe në rast të ndonjë koalicioni paszgjedhor të partive opozitare, LDK-ja tha se nuk do të ishte pjesë e ndonjë zgjidhjeje, ku nuk do të udhëhiqte qeverinë.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe në zgjedhje fitoi 7.06 për qind të votave, thonë se nuk do të konsultoheshin fare me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re.

Bekë Berisha, nga kjo parti, thotë se, aktualisht, ka konsultime joformale mes partive opozitare.

“Nëse qeveria aktuale nuk mund t’i bëjë numrat, atëherë topi është te opozita”, thekson Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Nisma nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për komente, por kryetari i saj, Fatmir Limaj, ka thënë më herët se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen apo partitë tjera opozitare.

“Partitë po e humbin kohën”

Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, thotë se rezultatet që kanë dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ia mundësojnë as Lëvizjes Vetëvendosje dhe as tri subjekteve opozitare – PDK-së, LDK-së dhe koalicionit AAK-Nisma – një shumicë të qëndrueshme parlamentare për formimin e qeverisë së re.

“Jemi në një ‘pat’ pozicion, që është një sfidë shumë e madhe për kulturën dhe inteligjencën politike, si dhe për vetëdijen e liderëve që ta gjejnë një rrugëdalje nga kjo bllokadë”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, subjektet politike nuk kanë ende ndonjë vizion të qartë se si do të arrijnë deri te qeveria e re.

Ai shpreh habinë sesi partitë politike nuk kanë nisur deri më tash konsultimet zyrtare për këtë qëllim, sepse, siç thotë, certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja nuk do të mund të sjellë ndryshime që do t’i ndikonin përqindjet e fituara të votave nga partitë politike.

“Nuk ka asnjë mundësi që të ndryshojnë raportet ndërmjet partive politike. Prandaj, çdo vonesë është humbje e madhe e kohës”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje mund ta krijojë shumicën parlamentare dhe më pas edhe qeverinë, vetëm nëse arrin të sigurojë dhjetë votat e komuniteteve joserbe, si dhe tri vota nga Nisma.

Përfaqësuesit e komuniteteve joserbe kanë thënë më herët për REL-in se, parimisht, do të mbështesnin cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re.

Çka ndodh pas certifikimit të rezultateve?

Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, brenda 30 ditësh, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila do të konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e qeverisë dhe procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve.

Në rast se dështon, atëherë, presidentja është e obliguar që brenda dhjetë ditësh t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar qeverinë.

Mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen 40 ditë prej shpalljes së vendimit. REL