Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani ka folur rreth dërgimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, zhvillim ky që u bë i ditur në takimin e parë të Bordit Paqes.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Ramadani tha se është lajm jashtëzakonisht i mirë për Kosovën dërgimi i trupave në Gaza, megjithatë, sipas tij, Kosova atje duhet të shkojë në nivel simbolik.
Sipas Ramadanit, Kosova nuk e ka përvojën që të shkojë në një mision në Gaza duke pasur edhe zonë përgjegjësie.
“E para, a ka më mirë se Kosova pas 20 e pak vjete prej çlirimit me qenë në gjendje me vendosë paqe diku. Pra është jashtëzakonisht sukses, e domosdoshme, e padiskutueshme. E dyta, e që është tepër me rëndësi, është që në këto raste, Kosova duhet me qenë racionale në shpenzime dhe operacione të veta, që i bie që unë nuk mendoj që Kosovës duhet me pasë zonë të përgjegjësisë në Gaza, dhe nuk mendoj që Kosova duhet me pasë prezencë me nivel kompanie për 250 ushtarë”.
“Unë mendoj që Kosova duhet patjetër me qenë atje, duhet me qenë në nivel simbolik, në mbështetje të ushtrisë amerikane ose shqiptare, me ekspertizë civile. Sepse Kosova nuk e ka përvojën për me pasë zonën e përgjegjësisë”, tha ai në Klan Kosova.










