Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është bërë anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Ky anëtarësim përfaqëson njohje ndërkombëtare të përmbushjes së standardeve evropiane të cilësisë në arsimin e lartë nga ana e AKA-së.
Kjo arritje u bë publike sot gjatë një takimi në të cilin kryeministri në detyrë Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mirëpritën Kryetaren e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, prof. Hasnije Ilazi, dhe drejtorin e Përgjithshëm të AKA-së, Naim Gashi.
Anëtarësimi në EQAR vjen pas vlerësimit pozitiv nga ekspertët ndërkombëtarë të ENQA-s dhe përmbushjes së standardeve për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë. Kjo pritet të lehtësojë njohjen e diplomave të studentëve të Kosovës në Evropë dhe më gjerë, si dhe të mundësojë qasje të plotë të universiteteve në programet e Bashkimit Evropian, mobilitetin akademik, bursa dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që bëhet anëtare me të drejta të plota në EQAR.
Agjencia e Kosovës për Akreditim kishte qenë e përjashtuar nga EQAR në vitin 2018 për shkak të vlerësimit se kishte humbur pavarësinë institucionale për shkak të ndërhyrjeve politike.
Gjatë viteve të fundit, janë ndërmarrë veprime për rikthimin e pavarësisë dhe besueshmërisë së institucionit, përfshirë: rifunksionalizimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, emërimin e profesionistëve me integritet, hartimin e ligjit të ri për AKA-në që garanton pavarësinë institucionale, rritjen e buxhetit, miratimin e pozitave të nevojshme të punës, garantimin e pavarësisë së bordit dhe sigurimin e hapësirave të reja për funksionim profesional.
The post Kosova në EQAR, Qeveria vlerëson punën e AKA-së appeared first on Kosovapost.net.