Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se në shtetin e Italisë është e pranishme sëmundja Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), dhe kësisoj është ndaluar importi i kafshëve të gjalla, shpezëve dhe i produkteve të tyre të cilat e kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Italisë.
Bëhet e ditur se importi është i lejuar nëse origjina është nga fermat e pa prekura me sëmundjen në një rreth prej 50 km. largësi nga zonat e prekura, shkruan Klankosova.tv
“Në përputhje me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi dhe në zbatim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos si vijon: Ndalohet importi i kafshëve të gjalla, shpezëve dhe i produkteve të tyre të cilat e kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Italisë, përveç nëse e kanë origjinën nga fermat e pa prekura me sëmundjen në një rreth prej 50 km. largësi nga zonat e prekura”, njofto AUV.
Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV).












