Kosova me ushtrues detyre të kryeprokurorit të Shtetit nga 2022-a

Ka gati tre vjet që kur Prokuroria e Shtetit udhëhiqet me ushtrues detyre.

Pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani në tetor të 2023-tës për mosdekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i Shtetit, nga Presidenca nuk treguan se kur do të trajtohet kjo çështje.

Juristi Anton Nrecaj thotë se vendimi i presidentes Osmani tregon mosgatishmëri për fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Mosmarrja e një vendimi për procesin e emërimit të kryeprokurorit edhe nga ana e presidentes tregon një mosgatishmëri për të fuqizuar sundimin e ligjit, presidentja Osmani ka në duar që gjithçka të kthejë në pikën zero ose të dekretojë kryeprokurorin e Shtetit. Marrë parasysh faktin se pozita e kryeprokurorit të shtetit është pozita më rëndësishme dhe ligjërisht më e fuqishme në vend dhe e gjithë lufta është se kush do ta ketë nën kontroll personin që do ta ketë këtë pozitë”, ka deklaruar ai.

Ndonëse ushtruesi i detyrës ka kompetenca të plota, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj thotë se ky vendim ka efekt negativ.

“Është shqetësuese sepse e tregon vetë integritetin e sistemit prokurorial. E dimë që presidentja i ka kthyer përgjigje negative Këshillit Prokurorial të Kosovës se nuk do ta dekretojë kandidatin e propozuar. Edhe raporti i Komisionit Evropian, edhe reagimet dhe deklaratat e partnerëve tanë ndërkombëtarë po edhe të shoqërisë civile kanë qenë që Këshilli Prokurorial i Kosovës pa vonesë të fillojë një proces të ri të emërimit të kryeprokurorit të Shtetit”, u shpreh Miftaraj.

E juristi Nrecaj thotë se moszgjedhja e kryeprokurorit të Shtetit është luftë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Ka tre vjet që është një luftë e qeverisë që të diktojë se kush duhet të jetë kryeprokurori i vendit. Kjo luftë për këtë pozitë jo vetëm është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, por edhe tendencë për ta kapur sistemin e drejtësisë, rrënim i demokracisë dhe kthim mbrapa në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.”

Prokurori Besim Kelmendi është ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit.

Presidentja Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn, me arsyetimin se pati shkelje ligjore gjatë përzgjedhjes, gjë që ishte kundërshtuar nga KPK-ja.

Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit pati nxitur reagime të shumta dhe disa nga organizatat joqeveritare patën kërkuar përsëritjen e konkursit. /Koha