Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Bankës Botërore për heqjen zyrtare të Kosovës nga lista e vendeve në situata të brishtësisë dhe konfliktit (FCS/FCV).
“Ky vendim, i konfirmuar përmes një shkrese zyrtare dhe i publikuar në faqen zyrtare të Bankës Botërore, përfaqëson një moment kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt forcimit të qëndrueshmërisë institucionale dhe stabilitetit makroekonomik. Heqja nga kjo listë është rezultat i koordinimit të ngushtë ndërmjet BQK-së dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe angazhimeve intensive të Kosovës në forumet ndërkombëtare, përfshirë Takimet Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington DC në prill 2025”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Guvernatori i BQK-së dhe delegacioni i Kosovës zhvilluan takime me drejtues kryesorë të Bankës Botërore dhe FMN-së, duke argumentuar nevojën për një vlerësim më të saktë të maturisë institucionale të vendit.
“Përfitimet kryesore nga ky vendim përfshijnë përmirësimin e perceptimit ndërkombëtar të stabilitetit institucional dhe ekonomik, rritjen e besimit të investitorëve, mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe kapital privat, si dhe konfirmimin e trendit pozitiv të qeverisjes dhe themeleve ekonomike të Kosovës”, thekson tutje BQK.
Ky institucion ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen dhe ka riafirmuar përkushtimin për avancimin e reformave, transparencës dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare në funksion të stabilitetit makro-financiar dhe reputacionit global të Kosovës.
The post Kosova largohet nga lista e vendet në konflikt, BQK e mirëpret appeared first on Kosovapost.net.