Kosova kërcënon me reciprocitet Maqedoninë, pas vendimit për taksë ndaj peshkut

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i është drejtuar Maqedonisë së Veriut, për barrierat që ky shtet i ka vendosur ndaj produkteve të Kosovës.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se i ka dërguar një letër homologut të tij në Maqedoninë e Veriut, për barrierat që ky shtet i ka vendosur ndaj produkteve të Kosovës.

Shala ka thënë se nëse kjo nuk ndodh Kosova do të vë masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Sot i kam dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, z. Kreshnik Bekteshi dhe i kam kërkuar që sa më shpejt të largohen barrierat të cilat i ka vendosur ky shtet ndaj produkteve kosovare. Ndryshe ne do të shqyrtojmë masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë”, ka thënë Shala, teksa ka bashkuar letrën.

Në letër, Shala ka shkruar për shqetësimin e tij dhe të komunitetit të biznesit për ndalimin e eksportit të rasatit të peshkut nga Kosova në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

“Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 0.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Republika e Kosovës. Për më tepër është vendosur një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në letër.

“Më lejoni të theksoj rëndësinë e të bërit tregti pa barriera në mes të dy vendeve tona dhe obligimet që të dyja vendet kanë në kuadër të Marrëveshjes së CEFTA-s… Jemi në pritje nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut që do t’i heqin këto barriera tregtare, në të kundërtën do të jemi të detyruar të reagojmë, ku si reagim do të jetë trajtimi i njëjtë i produkteve të Maqedonisë së Veriut që hyjnë në tregun e Republikës së Kosovës”, ka thënë më tej Shala.