Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, gjatë një konference për media në Prishtinë, ka bërë thirrje për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë dhe formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë tëS bashkëpunojnë për ta zhbllokuar ngërçin politik në vend, si dhe ka thënë se blloku evropian ka nisur tashmë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, në vizitën e saj të parë në Kosovë, Kallas tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.
“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin dhe rritjen e Kosovës, si dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale që mund të zbatojnë në mënyrë efektive reformat,” tha Kallas. “I inkurajoj të gjitha palët që të tejkalojnë ngërçin politik dhe të formojnë sa më shpejt një qeveri, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga mbështetja jonë”
Kosova nuk po mund të krijojë institucionet e saj të reja as tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.
Prej atëherë, deputetët janë mbledhur 19 herë në Kuvendin e Kosovës në përpjekje për konstituimin e tij, që është hap i nevojshëm drejt krijimit të qeverisë së re, por kanë dështuar vazhdimisht pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk po arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
Kallas i bëri këto komente para takimeve me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile.
Ajo do të pritet në një darkë pune sonte në mbrëmje nga kryeministri në detyrë Kurti.
E pyetur për masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës verën e vitit 2023, Kallas tha se blloku “ka filluar t’i heqë masat, por është me rëndësi të kuptohet njëkohësisht se nuk duam të shohim përshkallëzim në veri”.
Kallas në Prishtinë: BE-ja ka filluar gradualisht t’i heq masat ndaj Kosovës
“Unë personalisht jam duke i bindur vendet anëtare se ne duhet t’i heqim masat për Kosovën, por disa thonë se Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit dhe përshkallëzimi në veri bie ndesh me këtë. Ne jemi gati t’i bëjmë hapat tonë, por kemi vërtet nevojë të shohim shtensionim në veri”, tha Kallas.
Ajo nuk shpjegoi se kur ka filluar heqja e masave dhe çfarë masash mund të jenë hequr deri tani, por shtoi se “ky vendim hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës, por edhe për lidhje më të ngushta me Evropën”.
Kallas tha se Kosova dhe Serbia janë partnere të barabartë në tryezën e dialogut dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre është e vetmja rrugë drejt një të “ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për popujt e këtij rajoni”.
“Stabiliteti varet nga dialogu, jo nga konfrontimi”, theksoi ajo.
E pyetur rreth Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur si Marrëveshja e Ohrit – për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 – Kallas tha se ajo vlen dhe është detyrim për palët.
Gjatë vizitës së saj në Serbi të enjten, Kallas tha se synon t’i ftojë në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës “së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”.
Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.
Kallas po qëndron në Kosovë si pjesë e një turi në Ballkanin Evropian, i cili përfshin vizita në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.