Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për bllokada politike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, me të cilët ka diskutuar rreth situatës aktuale politike dhe bllokadës institucionale që po zgjat tashmë për më shumë se 100 ditë.

Në një deklaratë pas takimit, udhëheqësit e PDK-së shprehën shqetësimin e thellë për krizën politike që ka kapluar vendin, duke e cilësuar si pasojë të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të koalicionit fitues të zgjedhjeve për të bërë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Jemi në ditën e 116-të të bllokadës institucionale. Kjo situatë po cenon funksionalitetin demokratik të vendit dhe po rrezikon seriozisht të ardhmen institucionale dhe ekonomike të Kosovës,” theksohet në deklaratën e PDK-së.


Krasniqi ka theksuar se PDK-ja ka vepruar me përgjegjësi dhe ka ofruar një zgjidhje reale dhe të zbatueshme për dalje nga kriza, duke propozuar ndërrimin e kandidates aktuale për kryetare të Kuvendit, si një hap konkret drejt zhbllokimit të situatës dhe nisjes së procesit të formimit të institucioneve të reja, në përputhje me afatet kushtetuese.

“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për kryeneqësi politike. Ka nevojë për stabilitet, jo për kriza. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për lidership që zgjedh rrugën e shtetit, para interesave të ngushta partiake,” u shpreh përfaqësuesi i PDK-së.

Shoqëria civile, pjesëmarrëse në takim, vlerësoi nevojën për dialog politik dhe mirëkuptim ndërmjet partive për të shmangur thellimin e krizës dhe për të garantuar një qeverisje funksionale që i përgjigjet interesave të qytetarëve.

/Reporteri.net/