Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë, tha kryeministri në detyrë Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë të premten, më 1 gusht.
“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-të do të kenë tarifë zero për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve. Ky është një hap i radhës që dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të pasur një marrëveshje për tregëti të lirë me SHBA-të”, tha Kurti.
Kujtojmë se Kosova kishte tarifë doganore ndaj produkteve amerikane prej 10%.
Pas tarifave të publikuara nga Donald Trump për rreth 200 vende në mbarë botën, Kosova u prek me 10% për produktet e eksportuara në SHBA.
Pas këtij vendimi Qeverisë në detyrë të Kosovës i janë bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e tarifave doganore për importet amerikane./KosovaPress.
The post Kosova heq tarifën doganore ndaj produkteve amerikane appeared first on Kosovapost.net.