Kosova fiton ndeshjen e parë, por gjithçka mbetet e hapur

Futbollistët e Kosovës e kanë fituar ndeshjen e parë të plejofit për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Të enjten në mbrëmje në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë, “Dardanët” fituan 2:1.

Kosova ishte më aktive në fillimin e ndeshjes dhe me meritë kaloi në epërsi.

Qendërmbrojtësi i CSKA Sofjes, Lumbardh Dellova, pranoi pasimin e Amir Rrahmanit, dhe me gjuajtje të saktë e mposhti portierin kundërshtar në minutën e 19-të. Ishte goli i tij i dytë me fanellën e Kosovës.

Por gëzimi zgjati vetëm tre minuta.

Pas një kundërsulmi të shpejtë, kapiteni Orri Oskarsson në minutën e 22-të, i barazoi shifrat në 1:1.

Gol të bukur për Kosovën realizoi edhe mesfushori i Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj. Rexhbeçaj në minutën e 58-të shënoi me gjuajte të saktë nga distanca, me ndihmën e shtyllës pingule. Për të ishte goli i parë me Kosovën në ndeshjen e gjashtë.

Kosovës në minutën e 76-të iu anulua edhe një gol i kapitenit Amir Rrahmani.

Merita për fitoren e Kosovës pati edhe portieri Arijanet Muriq, që u shqua me disa pritje.

Te Kosova të enjten debutoi Vesel Demaku, mesfushori i Altachut të Bundesligës austriake.

Kosova ndeshjen kthyese do ta luajë më 23 mars në Murcia të Spanjës, pasi stadiumi në Reykjavik ku Islanda i zhvillon ndeshjet, është në renovim.