Kosova e sanksionuar i gëzohet Samitit të Tiranës, vetëm Kurti dhe partia e tij nuk e përgëzojnë Ramën

Kosova e ka përgëzuar Shqipërinë për organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili po mbahet sot në Tiranë. Liderët e partive politike kanë bërë me dije se pjesëmarrja e 47 liderëve të shteteve evropiane në këtë samit tregon se Tirana është shndërruar në epiqendër të re rajonale për integrime evropiane.

Derisa kanë uruar kryeministrin shqiptar Edi Rama për këtë organizim, ata kanë kritikuar qeverinë në detyrë të Albin Kurtit për izolim të Kosovës.

Ata kanë bërë me dije se Kosova vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së për gati dy vite fal gabimeve të Qeverisë Kurti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se Evropa sot po zbarkon në Tiranë, kurse Kosova po vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka kritikuar kryeministrin në detyrë për zvarritje të formimit të institucioneve të reja.

Evropa sot po zbarkon në Tiranë. E gjitha. Me plot 47 liderët e saj. Në Tiranën që tashmë, si epiqendër e re rajonale, është bërë shtëpi nga ku po gdhendet e ardhmja e vet kontinentit. Në këtë të ardhme, pa dyshim, po i bëhet vendi dhe vendit të shqipeve. Kosova, ndërsa, vazhdon të mbetet nën masa e sanksione. Vazhdon të mbetet dhe pa institucione. Mbi të gjitha, vazhdon të mbetet pa ndjenjën e urgjencës për kohën. Nuk ka urgjencë mu tha!”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

Ai ka vlerësuar se organizimin i këtij samiti në kryeqytetin shqiptar është një sinjal i fuqishëm për bashkëpunim dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj e ka falënderuar Ramën për këtë organizim, duke thënë se Shqipëria po i jep zë Ballkanit Perëndimor.

E mirëpres Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, një sinjal i fuqishëm për bashkëpunim dhe të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Falënderim për Kryeministrin Edi Rama për rolin udhëheqës dhe për faktin që Shqipëria po i jep zë Ballkanit Perëndimor në tryezat evropiane. Kosova duhet të trajtohet si partnere e barabartë. Populli ynë meriton njohje, dinjitet dhe një të ardhme të qartë brenda familjes evropiane”, ka shkruar Haradinaj.

Kurse, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së për fajin e Qeverisë Kurti.

Në një konferencë për media, ajo ka përgëzuar kryeministrin Rama për samitin.

Sot, në Tiranë, për herë të dytë me radhë, po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian. E përgëzojmë Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në këto katër vitet e fundit për ta afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian. I urojmë suksese të mëtejshme drejt synimit të përbashkët – Shqipëria në BE deri më 2030”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Vetëm kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partia e tij kanë heshtur në lidhje me Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, askush prej VV-së nuk e ka komentuar zbarkimin e liderëve evropianë në Tiranë.

Gjatë kohës sa Rama priste liderët evropianë në Tiranë, kryeministri në detyrë Albin Kurti merrte pjesë në punimet e Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY).

Vendi ynë për herë të parë është nikoqir i punimeve të Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), një ngjarje që bashkon rininë progresiste nga çdo cep i botës. Përveç organizimit të punimeve të Këshillit, Rinia për VETËVENDOSJE!. Sot zyrtarisht u votua si anëtare vëzhguese e këtij Unioni dhe pjesë e familjes botërore të të rinjve socialistë!”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Gjatë ditës së sotme, Kurti ka shkruar edhe statuse tjera, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për Samitin e Tiranës.

Kosova në këtë samit po përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani.

Shefja e shtetit ka bërë me dije se pjesëmarrja e saj në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm në cdo forum të rëndësishme.

Sot në Tiranë filloi Samiti i liderëve të Komunitetit Politik Evropian. Pjesëmarrja jonë e gjashtë në këtë samit është dëshmi se zëri i Kosovës është i pranishëm, i domosdoshëm dhe kontribues në platformat ku diskutohen sfidat e përbashkëta dhe vendoset për të ardhmen e kontinentit tonë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.