Kosova e palëkundur në rrugën e saj euroatlantike

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm që u zhvillua në Tiranë kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Në fjalën e saj hyrëse, Ministrja Gërvalla theksoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik, duke e vlerësuar këtë proces si një vazhdimësi të reformave të thella demokratike dhe ekonomike që vendi ka ndërmarrë. Ajo përmendi progresin e dukshëm të Kosovës në katër vitet e fundit, përfshirë rritjen ekonomike të qëndrueshme, rritjen e investimeve të huaja, dyfishimin e eksportit dhe rritjen e të hyrave buxhetore.

Gërvalla theksoi se Kosova ka dorëzuar e para Agjendën e Reformave 2024–2027 dhe ka ndërmarrë hapa konkretë për të përfituar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ajo gjithashtu përkujtoi harmonizimin e plotë të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe mbështetjen e qartë për Ukrainën.
Ndër të tjera, Ministrja Gërvalla ngriti shqetësimin për veprimet destabilizuese në rajon, duke dënuar aktin e hapur të agresionit të 24 shtatorit në Banjskë, të kryer nga një grup paramilitar të organizuar, financuar dhe trajnuar nga shteti serb, si dhe sulmin e fundit kinetik mbi kanalin Ibër-Lepenc, infrastrukturë kyçe për ujë dhe energji në Kosovë. Ajo theksoi se mungesa e një reagimi të qartë dhe të unifikuar nga jo vetëm që krijon hapësirë për përsëritje të veprimeve të tilla, por rrezikon edhe themelet e vetë politikës së zgjerimit të BE-së.


Gërvalla dënoi arrestimin e ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, që konfirmon faktin që shteti serb qëndron pas sulmit të Banjskës.

Në fund të fjalimit të saj, Ministrja Gërvalla rikujtoi hapat konstruktivë të ndërmarrë nga Kosova për bashkëpunim rajonal, përfshirë zhbllokimin e CEFTA-s, ratifikimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe vendimin e njëanshëm për heqjen e vizave për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës. Ajo theksoi se ndërtimi i një rajoni funksional dhe evropian kërkon përgjegjësi të barabartë nga të gjithë akterët, dënim të hapur të dhunës dhe respekt të ndërsjellë për parimet e fqinjësisë së mirë.

“Pa drejtësi, barazi dhe llogaridhënie të ndërsjellë, nuk mund të ketë përparim të qëndrueshëm,” përfundoi Ministrja Gërvalla, duke falënderuar organizatorët për mikpritjen dhe përkushtimin ndaj paqes e bashkëpunimit në rajon.