Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.
Përderisa BeH nuk ka miratuar reformat, gjë që ia pamundëson ndihmën financiare nga blloku, Kosova ka një “telashe” tjetër.
Zvarritja e formimit të institucioneve ka lënë prapa vendin, që përkundër se ndër vendet e para ka miratuar reformat, nuk e ka ratifikuar marrëveshjen në parlament.

Derisa më 10 tetor, pas më shumë se gjashtë muajsh u konstituua Kuvendi i Kosovës, që i hapte rrugë formimit të Qeverisë, përsëri partia fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit nuk kishte numrat e nevojshëm.
Edhe kjo, çoi në një zvarritje tjetër, fillimisht 15 ditë për të dështuar në zgjedhjen e Albin Kurtit si kryeministër, pastaj dhjetë ditë që presidentja, Vjosa Osmani të mandatojë Glauk Konjufcën, i cili e zvarriti procesin edhe për 15 ditë tjera, për të dështuar më 19 nëntor.
E gjithë kjo zvarritje, Kosovës mund t’i kushtojë edhe me humbjen e kësaj pakete që kap vlerën e 880 milionë eurove.
Kjo pasi, Komisioni Evropian kishte njoftuar se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i përmbushin kushtet, pagesat mund të pezullohen pjesërisht ose plotësisht.
“Në rast se partnerët e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kushtet përkatëse gjatë një periudhe mospagimi prej një viti (ose dy vjetësh nga viti i parë i zbatimit), shuma e pezulluar do të tërhiqet dhe mund të rishpërndahet midis përfituesve të tjerë në vitet pasuese”, deklaronte KE.
Kosova që nga tetori do të mund të kishte pjesën e parë të fondeve, në rast se marrëveshja do të ishte ratifikuar para muajit tetor.
E duke qenë se Kosova rrezikon të humbasë këto mjete financiare, Lëvizja Vetëvendosje u mundua të bullizojë deputetët e Kuvendit të Kosovës që më 19 nëntor të miratojnë këtë marrëveshje që ia siguron vendit pjesën e parë të fondeve.
Megjithatë, partitë që kanë qenë në opozitë nuk morën pjesë në një seancë të jashtëzakonshme që ishte thirrur atë ditë, duke çuar mesazhin që vendi shkon në zgjedhje e qeveria e ardhshme e zgjidhë këtë çështje.
Tre ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, që u mbajt në Tiranë.
Duke pranuar që Kosova ka mbetur prapa me zbatimin e agjendës, Kurti u arsyetua duke thënë se kjo ndodhë për shkak të “rrethanave”.
“Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë”, u shpreh ai.
Në po të njëjtën ditë, Marta Kos, komisionerja për zgjerim e Bashkimit Evropian dhe një mesazh shumë të qartë për Kosovën.
“Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi nga rundi i dytë i raportimit, skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen pothuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde prej të cilave duhet të përfitojnë qytetarët tuaj, me të cilat mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”, u shpreh ajo.
Plani i Rritjes mbulon periudhën 2024-2027 dhe përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Në mënyrë që vendet të përfitojnë nga këto fonde, ato duhet t’i përfundojnë reformat e kërkuara nga BE-ja, në sektorin privat, tranzicionin e gjelbër dhe digjitalizimin.











