Kosova dhuron 100.000 dollarë për Sirinë

Qeveria në detyrë e Kosovës dhuron 100,000 dollarë për të ndihmuar familjet nga kampi Al-Hol në veri-lindje të Sirisë.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ofruar një kontribut prej 100 mijë dollarësh për Syria Recovery Trust Fund (SRTF), në mbështetje të komuniteteve që janë kthyer në vend pas luftës civile dhe përpjekjeve për të arritur stabilitet në veri-lindje të Sirisë.

Kjo mbështetje e menjëhershme do të kontribuojë në projektin për mbështetjen e familjeve nga kampi Al-Hol. Ajo gjithashtu synon të mbështesë përpjekjet për rindërtimin e shtëpive, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e bujqësisë.

“Kosova qëndron në solidaritet me popullin e Sirisë. Ne e kuptojmë nevojën urgjente për të mbështetur kthyesit, veçanërisht familjet nga kampi Al-Hol, në përpjekjet e tyre për t’u integruar në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme në komunitetet e tyre”, ka deklaruar ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në bazë të një njoftimi të lëshuar për shtyp të dielen nga SRTF.

SRTF është një fond ndërkombëtar i krijuar për të mbështetur rindërtimin e Sirisë, veçanërisht familjet që kthehen në vendbanimet e tyre, ndërsa mjetet financiare menaxhohen në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Prishtina dhe Damasku kanë vendosur marrëdhënie zyrtare diplomatike më 29 tetor 2025, shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Njohja mes Kosovës dhe Sirisë është arritur pas ndërmjetësimit të Arabisë Saudite dhe Turqisë, dhe erdhi pas rrëzimit të diktatorit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetor të vitit 2024.