Kosova dhe Shqipëria në fokus të diskutimeve në Bundestag

Gjermania do të mbetet në Kosovë. Bundestagu votoi të enjten zgjatjen e mandatit të misionit ushtarak gjerman si pjesë e KFOR-it për edhe 12 muaj. Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, parlamenti gjerman konfirmoi vazhdimin e angazhimit ushtarak, në një kohë tensioni të shtuar në veri të Kosovës dhe sfidash të reja gjeopolitike në rajon.

Në një debat gjysmë orësh, për herë të parë foli në Bundestag edhe Johannes Volkmann, nipi i kancelarit të ribashkimit gjerman Helmut Kohl.

Ai kërkoi njohje të plotë për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, duke theksuar se premtimi i vitit 2003 për integrimin në BE nuk mund të mbetet peng i historisë.

Zërat kundër misionit erdhën nga partia e djathtë ekstreme AfD dhe E Majta. Stefan Keuter (AfD) tha se “ky nuk është konflikti ynë” dhe i cilësoi shpenzimet për KFOR-in të panevojshme. Deputetja Gökay Akbulut nga E Majta tha se Kosova ka nevojë për shkolla dhe spitale, jo për më shumë trupa.

Nga qendra e spektrit politik, SPD dhe Të Gjelbrit mbështetën misionin si stabilizues. Ministrja e Brendshme Nancy Faeser (SPD) e cilësoi praninë gjermane si ndihmë për një shoqëri demokratike e multietnike, ndërsa Niklas Wagner nga Të Gjelbrit paralajmëroi se tërheqja e SHBA-së nga rajoni mund të krijojë një vakuum të rrezikshëm që do të shfrytëzohet nga aktorë autoritarë.

Gjermania do të mund të angazhojë deri në 400 trupa në Kosovë, me mision të ruajtjes së sigurisë dhe ndihmës në ndërtimin e institucioneve demokratike. Qeveria gjermane konfirmoi mbështetjen për transformimin e FSK-së në një forcë moderne dhe demokratikisht të kontrolluar, si përgatitje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.

Ndërkohë, kancelari Friedrich Merz doli në krah të SHBA-ve dhe bëri thirrje për armëpushim pas bombardimeve në Iran. Në një tjetër linjë politike, ai iu bashkua aleancës së liderëve të djathtë që kërkojnë kontroll më të fortë ndaj migracionit të paligjshëm, të udhëhequr nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Bundestagu miratoi projektligjin për pezullimin e bashkimit familjar për refugjatët me mbrojtje të kufizuar, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm të kursit në politikën migratore të Gjermanisë.

Në sfondin e këtyre zhvillimeve, partia AfD ka kërkuar nga qeveria hetime nëse ka pasur manipulime në zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Ndërkohë, një shkollë në zemër të Berlinit e mban me krenari emrin e një shqiptari – duke simbolizuar marrëdhëniet kulturore të qëndrueshme mes dy vendeve./Deutsche Welle/

The post Kosova dhe Shqipëria në fokus të diskutimeve në Bundestag appeared first on Kosovapost.net.