Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se janë nënshkruar tri marrëveshje me Kolumbinë, në kuadër të të cilave edhe ajo për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një takim me homologen e tij nga Republika e Kolumbisë, Paula Andrea Cerón Arboleda, gjatë të cilit u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Me këtë rast, palët nënshkruan tri marrëveshje, atë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, marrëveshjen për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të punëve të jashtme si dhe memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive diplomatike.
“Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, me ç’rast palës kolumbiane iu dorëzua drafti fillestar për këtë çështje, si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe afrimit të mëtejmë ndërmjet dy shteteve.
Palët u pajtuan që në një afat të afërt të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Kolumbi, zëvendësministri Ahmeti u takua gjithashtu me Zëvendësministrin e Mbrojtjes Nacionale, Javier Baquero, me të cilin diskutoi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në kuadër të një dreke pune, ai zhvilloi takime edhe me përfaqësues të ministrive të kulturës, arsimit, sportit dhe bujqësisë, ku u trajtuan zhvillimet e fundit në këto sektorë dhe u identifikuan mundësi konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm.
Takimet në Kolumbi përmbyllim vizitën e zëvendësministrit Ahmeti në këtë rajon, gjatë së cilës u zhvilluan takime të rëndësishme dhe u nënshkruan gjithsej gjashtë marrëveshje të ndryshme, duke kontribuar në forcimin e pranisë dhe partneriteteve të Republikës së Kosovës në Amerikën Latine.










