Kosova B e përgjysmuar në prodhim, blloku B1 rikthehet, në remont 6 mujor shkon blloku B2

Shumë shpejtë termocentralet Kosova B do të punojnë praktikisht me kapacitet të përgjysmuar. Sipas inxhinerëve kompetentë të KEK-ut, me t’u kthyer në prodhim B1-shi, në remont kapital, të stërdetajuar do të shkojë blloku B2, dhe ky remont do të zgjatë së paku 6 muaj.

Gjatë ditës së sotme (e mërkurë, 23 prill 2023), që në orët e paraditës ka nisur procesi i rikthimit në prodhim i bllokut B1 të termocentraleve Kosova B, i cili ka qenë saktësisht mbi një muaj në remont të planifikuar. Ndërsa, gjatë tërë muajit, për mungesë të energjisë nga blloku B1, për shkak të punëve rreth remontit më të detajuar, dhe në raste edhe nga blloqet aktive të Kosovës A, Kosova, në njëfarë mënyre ishte në një krizë elektroenergjetike.

Siç dihet, pati mungesë të madhe të energjisë elektrike karshi nevojave të mëdha të konsumit të rritur – si rrjedhojë e rikthimit të motit të ftohtë. Por, sërish, madje shumë shpejtë, termocentralet Kosova B do të punojnë praktikisht me kapacitet të përgjysmuar.

Sipas inxhinerëve kompetentë të KEK-ut, me t’u kthyer në prodhim B1-shi, në remont kapital, të stërdetajuar do të shkojë blloku B2, dhe ky remont do të zgjatë së paku 6 muaj. Gjatë kësaj kohe do të bëhen punë të mëdha rreth modernizimit të turbinës së B2-shit, punë këto të domosdoshme për t’i hapur rrugë instalimit të elektrofiltrave dhe për zgjatjen e jetës së punës së kësaj njësie prodhuese. Dhe, s’do mend në gjashtë muajt vijues, sado që është periudhë e kohës së ngrohtë dhe kushtimisht e uljes së kërkesave të konsumit të vendit për energji elektrike, gjithsesi do të vazhdojë shpërputhja e madhe ndërmjet prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet e vendit dhe nevojave të konsumit në Kosovë. Sepse, në prodhim në këta gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vetëm B1-shi me kapacitetin e ditur prej 350 megavatësh dhe A3 dhe A4 me nga 120-130 megavatë, secili.

Por, do të jetë njëfarë ndihmese edhe sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme.

Me fjalë të tjera, edhe pse do të jenë muaj të verës, do të mungojë sasia e nevojshme e rrymës së prodhuar nga kapacitetet vendore, dhe zgjidhja e situatës elektroenergjetike në këta muaj mbetet importi i sasisë së munguar, dhe kursimi i domosdoshëm, gjithnjë aty ku ka mundësi. /Buletini Ekonomik/