Kosova 841 ditë nën sanksione të BE-së, Ursual von der Leyen nuk jep ndonjë shpresë për heqjen e tyre

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursual von der Leyen, nuk ka dhënë ndonjë shpresë për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.

Në mesazhet që ka dhënë pas takimit me liderët shtetërorë, ajo fare nuk ka përmendur çështjen e masave ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës në qershor të vitit 2023. As presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk kanë treguar nëse zyrtarja e lartë evropiane ka shprehur ndonëj gatishmëri për heqjen e sanksioneve.

Presidentja e Komisionit Evropian vetëm ka bërë me dije Kosova duhet të ulë tensionet dhe të ndërtojë institucione të sigurta.

Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.

Presidentja Vjosa Osmani ka treguar se me zyrtaren e lartë të BE-së kanë folur për heqjen e masave, por nuk ka dhënë shumë detaje.

Në profilin e saj në “Facebook”, pas takimit me presidenten e KE-së, Osmani ka treguar temat që kanë diskutuar.

Kosova është gati të ecë përpara me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane. Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, ka shkruar Osmani.

Ndërsa, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka dhënë ndonjë detaj nëse është diskutuar për këtë çështje gjatë takimit.