Kos: Në qershor hapen të gjithë kapitujt për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Komisioneria e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka dhënë një lajm të mirë për Shqipërinë.

Gjatë vizitës së saj sot në Tiranë, ajo ka thënë se në qershor Shqipëria do të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave.

“Brenda mandatit tim si komisionere për zgjerimin do të kemi anëtarësime të reja në BE nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me Edi Ramën ne kemi një marrëveshje. Unë gjithmonë insistoj që ky proces të jetë i bazuar në merita, por ne kemi rënë në ujdi për ta realizuar atë martesë të Shqipërisë me Evropën më në fund”.

“Na duhet që të hapim një grup tjetër kapitujsh me Shqipërinë dhe kjo do të ndodhë në Qershor dhe me këtë do të kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Më pas do të fillojë mbyllja e kapitujve, që është gjithashtu një proces shumë i rëndësishëm”, ka pohuar Kos, sipas TCh.