Ndër 29 rastet e reja me koronavirus të regjistruara sot në Kosovë, shumica e këtyre rasteve janë shënuar në komunën e Vushtrrisë, komunë kjo e cila vazhdon të jetë më e goditura nga ky infeksion.
Siç ka bërë të ditur IKSHPK, në këtë komunë janë shënuar 15 raste pozitive vetëm në ditën e sotme, pothuajse dyfish më shumë se rastet e shënuara dje në këtë komunë, ku u regjistruan tetë.
Ndërkaq, tutje u bë e ditur se përveç Vushtrrisë, edhe komuna e Prizrenit, e Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Mamushës, Mitrovicës e Rahovecit hynë në listën e vendeve me raste të reja me koronavirus brenda këtyre 24 orëve të fundit.
“Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 15 raste (sipas vendbanimit: 12 raste Vushtrri, 2 raste Stanovc i epërm dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), komuna e Prizrenit 4 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren dhe 1 rast Tupec), komuna e Prishtinës 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prishtinë), komuna e Fushë Kosovës 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Miradi e poshtme dhe 1 rast Fushë Kosovë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Milloshevë-Obiliq, Mamushë, Mitrovicë dhe Rahovec”, thuhet në njoftimin e IKSHPK’së.