Koordinatorët që u angazhuan në procesin e subvencionimit ende nuk janë paguar

Për afër tre muaj mësimdhënës të shumtë në Kosovës punuan punë shtesë në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore. Mirëpo për punën shtesë këta punonjës të arsimit akoma nuk janë paguar. Nga drejtoria e Arsimit në kryeqytet, thonë se tash për tash e kanë të pamundur të ekzekutojnë ndonjë pagesë.

Ruzhdi Krasniqi është arsimtar i gjuhës angleze në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë.

Por përveç orëve që ka, atij nga muaj gusht e deri në tetor i është shtuar edhe një punë shtesë.

Krasniqi për afër tre muaj ushtroi edhe detyrën e koordinatorit për verifikimin e aplikimeve për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore.
“Ne si mësimdhënës përveç orëve mësimore dhe punës në shkollë jemi marrë me mbledhjen e informacioneve dhe konfirmimin e tyre, por puna nuk ka mbaruar këtu pasi ne pas kësaj kemi pasur non stop përmes telefonatave mesazheve nga prindërit të cilët i kanë kërkuar informacionet nga ne”,thotë ai.

Por ani pse kishte detyra dhe përgjegjësi shtesë, Krasniqi nuk mori asnjë cent më shumë.

“Edhe sot nuk jemi të njoftuar për pagesën se a do të ketë pagesë apo jo, edhe pse në një rast e kam pyetur zyrtaren me ka thënë që provoni komunën ashiqare që nuk ishin as ata të informum ose nuk kishin ndonjë planifikim”, shprehet Krasniqi.

Njëjtë sikurse Krasniqi, ankesa për mos pagesa ka edhe koordinatori në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, Nuhi Dema.

“Ka qenë kogja e mundimshme, na prej gjysma gushtit kur është hapur aplikimi për subvencione ne kemi punuar punë shtesë noshta edhe në orët e vona të natës vetëm që të i konfirmojmë aplikimet që kanë qenë prej prindërve. Unë mendoj që është dashtë me pagu puna shtesë meqenëse kemi punu jashtëzakonisht punë të mundimshme për verifikim ku shkolla jonë 506 aplikime i ka pas dhe na ka marrë kohë shumë., unë besoj që duhet me u bë një pagesë ekstra përvec pagave që kemi”, tha Dema.

Nga drejtoria e Arsimit në Prishtinë, thonë se një herë e kanë të pamundur të bëjnë pagesa të tilla.

“Në përgjithësi kemi problem në pagimin e shtesave për mësimdhënës .. si pasoj e bllokimi i buxhetit nga niveli qendror, përkatësisht nga Ministria e Financave, e njëjta bllokadë lë pasoja edhe në shpagimin e mundit”, tha Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Prishtinë.

Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit se a do t’i paguaj këta koordinatorë, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje./teve1.info