Konventa për kryetar, Çitaku: Më e rëndësishme se gara e brendshme është që t’i fitojmë zgjedhjet

Pak ditë para datës 17 nëntor kur edhe do të mbahet konventa e Partisë Demokratike të Kosovës, në adresë të partisë së themeluar nga Hashim Thaçi ka shkuar kërkesë nga një prej anëtarëve më të vjetër, Enver Hoxhaj, që kjo konventë të shtyhet, në mënyrë që të bëhen përgatitjet më mirë dhe anëtarësia të ketë kohë të njihet me kandidaturat.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një përgjigje për Express ka thënë se Konventa e partisë në bazë të statutit, duhet të mbahet brenda pesë ditësh.

Ajo ka thënë se inkurajohen kandidaturat dhe gara e brendshme.

“Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka thënë Çitaku për Express.

Zyrtarja e lartë e PDK-së ka thënë se pavarësisht nëse do të përfshihen në garë ose jo, për partinë është shumë e rëndësishme që të dalë e unifikuar nga ky proces dhe me platformë të fortë për zgjedhjet.

Çitaku ka thënë se më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja e partisë në zgjedhjet parlamentare.

“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt.Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, ka thënë Çitaku