Derisa maji ishte muaji i vetëdijesimit kundër kancerit të lëkurës, veçanërisht melanomës, qershori do të jetë muaji i kontrolleve pa pagesë në Klinikën e Dermatologjisë në Prishtinë.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, kryetarja e Shoqatës së Dermatologëve të Kosovës, Mybera Ferizi, e cila tha se këto aktivitete sensibilizimi në këtë kohe bëhen për shkak se tani mund të ketë një frekuencë të paraqitjes së sëmundjeve të lëkurës. Ajo porositë të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata të cilët vërejnë ndryshime në nishanet e tyre, që të konsultohen me dermatologun.
“Muaji qershor, do të jetë muaji kur gjatë tërë muajit do të pranojmë pacientë të cilët kanë ndonjë nishan dhe lirisht le të paraqiten. Në pankartën, e cila do të jetë e vendosur në qytet, është numri i Klinikës së Dermatologjisë, ku do të paraqiten dhe do të jenë kontrollimet falas për tërë muajin qershor, në mënyrë që t’iu ofrojmë një kontroll fillestare për të parë nëse dikush ka diçka të dyshimtë”, deklarohet Ferizi.
Për sot është paralajmëruar edhe një trajnim, ku do të ligjërojë dermato-kirurgja Merita Hajdini Zeqiri nga Gjermania, ku rreth 30 specializantët nga Kosova, do të kenë mundësinë që të bëjnë dermatoskopimin në mënyrë që të njohin më herët manifestimet e melanomës.
“Bashkërisht, të gjithë participantët do të shohim, do të shkëmbejnë përvojat tona dhe njëherësh do të bëjmë një trajnim për biopsitë e lëkurës, mënyrën se si merret, dhe cilat janë kriteret kryesore që të vendoset një biopsi e lëkurës”, thotë ajo.