Kontrata me nen të fshehur: Komuna provon t’i fus operatorët privatë përmes “Pastrimit” në marrëveshjen e arritur me militantin e LDK-së

Kryetari Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, duket se kanë vendosur ta çojnë deri në fund lojën e tyre politike me mbeturinat e Prishtinës. Pasi qyteti po mbytet në bërllok, ata kanë zgjedhur të shpallin marrëveshje me Florim Cakiqin, njeri i afërt me LDK-në, i cili njihet si kryetar i një sindikate jolegjitime brenda Ndërmarrjes “Pastrimi”, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës përmes një propozim-kontrate të re me Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A., është duke planifikuar përfshirjen e operatorëve privatë në grumbullimin dhe largimin e mbeturinave, një hap që i hap rrugë ndarjes së tregut të vetëm të menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, aktualisht i mbuluar nga kompania publike “Pastrimi”.

Drafti i marrëveshjes është thuajse i njëjti që kompania publike ka pasur me komunën edhe në vitet paraprake, por këtë herë komuna ka futur një nen të ri që fut operatorët privatë brenda marrëveshjes më kompaninë publike, e cila ishte kundërshtuar vazhdimisht nga “Pastrimi”.

Në draft-kontratën e përgatitur nga Komuna e Prishtinës me jo person të paautorizuar brenda Pastrimit, thuhet se për shkak të mungesës së makinerisë nga ana e “Pastrimit” do të kontraktohen edhe operatorë të tjerë për të ofruar të njëjtin shërbim, me arsyetimin se kjo do të sigurojë cilësi dhe mbulim të plotë të territorit.

“Komuna është përgjegjëse që të gjithë personave fizik dhe juridik brenda territorit të saj, t’iu siguroj shërbim cilësor të grumbullimit të mbeturinave. Rrjedhimisht, për shkak të mungesës së makinerisë të KRM Pastrimi, Komuna e Prishtinës do të kontraktoj edhe operator të tjerë për ofrimin e shërbimit të njëjtë”, thuhet në nenin 5 të kontratës.

Megjithatë, kjo qasje bie ndesh me vetë Rregulloren komunale për menaxhimin e mbeturinave, e cila në nenin 16 dhe nenin 5 të ndryshim-plotësimit të saj, e përcakton qartë se “Pastrimi” është i vetmi operator i autorizuar për këtë shërbim në territorin e Komunës së Prishtinës, për amvisëri dhe biznese përfshirë edhe çmimin e shërbimit.

Për më tepër, vendimi i Komunës së Prishtinës për të hapur tregun për operatorë privatë përmes një kontrate të lidhur me një kompani publike, nxit shqetësime për ndarjen selektive të tregut dhe reduktimin e të hyrave të “Pastrimit”, në kohën kur kjo kompani është e vetmja që mbulon funksionalisht pastrimin e qytetit.

Në anën tjetër, mënyra se si është arritur marrëveshja sot ngjall edhe më shumë dyshime. Kontrata prej 1.5 milionë euro është negociuar jo me menaxhmentin zyrtar të ndërmarrjes, por me një person që është prezantuar si kryetar sindikate, edhe pse nuk figuron në asnjë regjistër zyrtar të sindikatave pranë Ministrisë së Financave.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka njoftuar se marrëveshja është arritur me këtë person, për të cilin burimet e Demokracia.com po ashtu konfirmojnë se është nën hetim për keqpërdorim të pagesave sindikale.

Florim Cakiqi, i cili u paraqit në takim me kryetarin Përparim Rama, është kontroller me pozitë në ndërmarrje dhe njihet si mik i afërt i një asamblisti të LDK-së, partia që drejton Komunën e Prishtinës.

Rama arrin marrëveshje me militantin e LDK-së brenda “Pastrimit” për 1.5 milionë euro

Kjo mënyrë joformale e lidhjes së një kontrate të madhe financiare me ndërmarrjen publike, përmes një individi pa autorizim të qartë ligjor, heq çdo dilemë se Komuna e Prishtinës është duke e përdorur “Pastrimin” për të legjitimuar përfshirjen e operatorëve privatë të afërt me LDK-në dhe ndarjen e tregut të mbeturinave në mënyrë të njëanshme dhe selektive. /Demokracia.com/