Konsulli i Kosovës “pëlqeu” postim me akuza ndaj Thaçit, Jakupi: Nuk guxon ta akuzosh ish-presidentin

Konsulli i Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, ka pëlqyer në rrjete sociale një postim me akuza të rënda ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar si “vrasës dhe plaçkitës”.

Konsulata ka bërë të ditur se “llajku” u hoq dhe se veprimi ishte i “paqëllimshëm”. Sipas Konsulatës, diplomati nuk përfshihet në diskutime të tilla dhe nuk beson në përmbajtjen e postimit.

Kjo çështje u diskutua sot në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, me opinionistin Zejnullah Jakupi.

Ai tha se assesi nuk guxon të akuzohet dikush, e as Hashim Thaçi, për një vepër që ende nuk ka vendim të prerë nga gjykata.

Kërkohet shkarkim “i menjëhershëm” i konsullit në Frankfurt pasi “pëlqeu” shkrimin ku Thaçi akuzohet për “vrasje”

“Si gazetarë, si politikanë, nuk duhet dhe nuk mund ta akuzosh asnjë njeri, qoftë konsullt, qoftë diplomat, qoftë gazetar, politikan, opinionist. Nuk guxon ta akuzosh ta zëmë Hashim Thaçin apo dikë tjetër si kriminel, përderisa ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata”, tha Jakupi.

Teksa Jakupi shpjegonte në mënyrë profesionale se si një njeri nuk mund të quhet kriminel ose fajtor për një vepër që ende nuk është dënuar nga gjykata por ndodhet në paraburgim, shtoi po ashtu se kush e bën një gjë të tillë, nuk ka bazë njerëzore.

“Mund të paditen edhe për shpifje”, tha ai.