Kadrijaj: VV-së po i pëlqen kjo bllokadë, po humbet imazhi i Kosovës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj situatës së zvarritjes së proceseve institucionale në vend, duke e quajtur të papranueshme bllokadën aktuale politike.
Sipas saj, mungesa e angazhimit serioz nga një parti politike – të cilën ajo nuk e përmend drejtpërdrejt – është duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
“As mend nuk e kemi bërë secila parti që ka synuar ta ketë, partitë janë angazhuar maksimalisht. Ne nuk po shohim ndonjë angazhim, vetëm po shohim që po i pëlqen kjo bllokadë. Shkelin ligje kushtetuese, ende jemi në pritje të përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, vërtetë nuk ka kuptim – në këtë formë po humbet imazhi i Kosovës, nuk ka interes as nga partnerët tanë. Të presim vendimin e gjykatës dhe një reflektim të kësaj partie,” tha Kadrijaj.
Ajo kërkoi reflektim nga të gjithë aktorët politikë dhe theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si themel i funksionimit demokratik të vendit.
“Ju lus, bojkotoni deputetët”, Koci sërish proteston sot para Kuvendit

Avokati Arianit Koci ka paralajmëruar se edhe sot do të protestojë para Kuvendit të Kosovës.
Ai, përmes një postimi në Facebook, u bëri lutje qytetarëve që të bojkotojnë deputetët e zgjedhur.
“E dimë paraprakisht: as sot, për të 32-tën herë, deputetët nuk do të merren vesh. Një tjetër ditë e humbur. Një tjetër dëshmi se shteti po shpërbëhet – jo prej ndonjë lufte, por prej inatit dhe papërgjegjësisë. Pa Parlament s’ka ligje, pa ligje s’ka rend, s’ka shtet. Ka vetëm zvarritje, kaos dhe heshtje. Qeveria është në detyrë, por pa kontroll. Vendimet mungojnë, llogaridhënia nuk ekziston, institucionet janë të ngrira – vendi i bllokuar. E gjithë kjo, sepse ata – thjesht – mund të sillen kështu. Po sillen kështu me neve, sepse ne po i lejojmë. Po munden. Po na manipulojnë. Dhe ne po heshtim. Nuk ka më justifikime. Është koha të jemi më aktivë, më të vetëdijshëm, më të zëshëm. Sepse nëse nuk e marrim ne situatën në dorë, ata nuk do të bëjnë asgjë për ta zgjidhur”.
“Sot, së paku – një hap simbolik: t’i përcjellim me emër e mbiemër. Të dimë qartë: a janë në seancë, apo në ndonjë resort pushimi? T’ua prishim këtë të diel, sepse ata po na e prishin jetën. Na kanë uzurpuar të ardhmen. Unë ndërkohë – po përgatitem. Sepse do të vijë protesta e madhe. Në takimin e 50-të të deputetëve – do të jem aty. Atëherë, askush nuk do të mund të fshihet më. As pas dyerve të Kuvendit, as pas fjalëve boshe që s’thonë asgjë. Sepse mjaft kemi pritur. Mjaft kemi heshtur. Tani – është koha për veprim. Për ndëshkim moral. Për përgjegjësi politike. Deri atëherë, deri në herën e 50-të, le të ekspozohen në marre, në dështim, në heshtje, në ikje nga përgjegjësia”, ka shkruar Koci.
“Prandaj, nëse doni me i ndalë, filloni prej vetes: ju lus – bojkotoni deputetët. Mos i dëgjoni. Mos i trajtoni si përfaqësues. Trajtoni si pazargjinj të vegjël, me madate të mëdha. Sepse derisa nuk e formojnë Parlamentin – nuk përfaqësojnë askënd. As ju. As mua. As Kosovën. Heshtja e jonë – fuqia e tyre”.
Bllokada në Kuvendin e Kosovës, betejë pa fitues qe dy muaj për Kryeparlamentarin

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 11:00 për herë të 32-të që nga 15 prilli, në një tjetër përpjekje për konstituim, shkruan Reporteri.net.
Procesi ka ngecur për shkak të pamundësisë për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, ku Albulena Haxhiu, e propozuar nga Vetëvendosje për Kryeparlamentare, s’ka arritur të marrë 61 votat e nevojshme në asnjë nga votimet.
Partitë politike kanë refuzuar të mbështesin kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryeparlamentare dhe janë kundër votimit të fshehtë.
Vetëvendosje këmbëngul të mos ndryshojë as emrin e propozuar dhe as formën e votimit.
PDK dhe AAK kanë kërkuar emër të ri nga VV, ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat të saj.
Presidentja Vjosa Osmani deri tani ka mbajtur dy takime konsultative me liderët politikë për të diskutuar konstituimin, ndersa pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar zgjidhje ligjore për bllokadën.
/Reporteri/