Konjufca: Po të ishte opsioni i vjetër politik, veriu do të përfundonte në negociata – s’na bëjnë përshtypje kërcënimet e Vuçiqit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se pas bojkotimit të orkestruar të policëve në veri që patën dhënë dorëheqje si dhe kryetarëve atje, me opsionin e vjetër politik, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, por siç tha ai opsioni i kësaj qeverie është kushtetutshmëria me çdo kusht.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po tenton t’i ruajë ato të cilat nuk i ka më dhe po e kërcënon Republikën e Kosovës, derisa përmendi këtu konferencën e tij të fundit.

Por, sipas kryeparlamentarit kërcënimet e tilla Kosovës nuk i bëjnë përshtypje, pasi “ne nuk frikësohemi dhe as nuk shqetësohemi”.

“Ishte një bojkotim i orkestruar, prej policëve që dhanë dorëheqje, kryetarëve që dhanë dorëheqje. Kosova ishte para dy opsioneve. Jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata. Kjo nuk ka qenë opsioni, i joni është Kushtetuetshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit, për me vendos atje rendin edhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq, që nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo ska qenë opsion për LVV-në. Vuçiqi po tenton me i rujt ato që nuk i ka më, dhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës për shtyp që e pamë. Është një kërcënim që nuk na bën përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, politike, janë konmunat që funksionojnë dhe është shansa e humbur”, tha Konjufca para gazetarëve.

Konjufca tha se tashmë në veri të vendit strukturat paralele janë hequr gradualisht dhe po vazhdon të ndodh një gjë e tillë.

“Strukturat paralele gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdojnë të hiqen, mirëpo substanca e tyre tashmë është hequr. Në vazhdimësi s’kemi pse të ngutemi shumë, është në rrugë të mbarë ky proces. Ky proces ka qenë i domosdoshëm për sovranitetin e Kosovës në atë pjesë të vendit. Ky është drejtimi ynë”, shtoi Konjufca.

Lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, Konjufca tha se sipas aktakuzës dolën ato që i kanë thënë gjithë kohës.

Ai shtoi se ajo çka i duhet tani Kosovës është që mos të ketë ngadalësim në zhvillimin e procedurave gjyqësore.

“Është një aktakuzë e cila mendoj që për nga definicioni i çështjeve që i kanë ngritur ka goditur në shenjë, për arsye se ne e kemi thënë gjatë gjithë kohës. Synimi i grupit terrorist ka qenë aneksimi i një pjesë të Republikës së Kosovës. Ka pas që kanë bërë shaka, por kjo s’është hajgare. E dyta, grupi terrorist e ka pasur mbështetjen e plotë të Serbisë gjithë kohës, ky është pretendimi i dytë i aktakuzës. Dhe e treta dhe e katërta janë tentimi për me shkatërru rendin Kushtetues dhe sigurinë, dhe e katërta ishte aspekti i kriminalitetit të madh që e ka bërë ky grup terrorist duke shpërndarë para në funksion të financit dhe krijimit të logjistikës për funksionalizimin e këtij grupi terrorist. Kshtu që nga këto, tash çka na nevojitet është mos të kemi ngadalësim në zhvillimin e procedurave gjyqësore”, deklaroi Konjufca para gazetarëve.