Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka reaguar pas lajmit tragjik që ka ndodhur në Vjenë të Austrisë, ku si pasojë e një aksidenti në vendin e punës kanë humbur jetën tre qytetarë të Kosovës.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Konjufca ka shkruar se që nga marrja e lajmit e deri më tani Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, ka qenë dhe vazhdon të jetë në koordinim të vazhdueshëm me familjet dhe autoritetet përkatëse për të siguruar mbështetjen e plotë dhe për të lehtësuar çdo procedurë të nevojshme.
Postimi i tij i plotë:
Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen tragjike të jetës së tre qytetarëve të Republikës së Kosovës në Vjenë të Austrisë si pasojë e një aksidenti në vendin e punës gjatë pasdites së djeshme.
Që nga marrja e lajmit e deri tani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, ka qenë dhe vazhdon të jetë në koordinim të vazhdueshëm me familjet dhe autoritetet përkatëse për të siguruar mbështetjen e plotë dhe për të lehtësuar çdo procedurë të nevojshme.
Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami ishin pjesë e diasporës sonë — një shtyllë e pazëvendësueshme e Kosovës. Për dekada, njerëzit tanë jashtë vendit kanë mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, kanë mbështetur familjet e tyre, kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, dhe kanë qenë zë i Kosovës kudo në botë. Humbja e tyre nuk është vetëm humbje për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë që në kohët më të vështira ka gjetur mbështetjen kryesore në përkushtimin dhe sakrificën e bashkëatdhetarëve tanë.
Në këtë ditë të rëndë për Kosovën, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe të afërmit e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe.










