Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në një qorrsokak dhe se ky proces – në formatin që ka filluar në vitin 2011 – ka marrë fund pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Sipas tij, Serbia ka qenë faktori kryesor që ka kontribuuar në këtë situatë përmes veprimeve të saj të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.
“Unë konsideroj që sa i përket perspektivës së dialogut, dialogu, ndodhet në një qorrsokak, prej të cilit nuk po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokak pasa se të gjithash i ka kontribuuar Serbia, me veprimet e veta. Unë mendoj që dialogut në formatin qysh ka qenë prej 2011 e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë.
Sepse me informatat që i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet tona të sigurisë tregojnë qartë që ky grup kriminal prej qindra personash e ka pasur mbështetet drejtpërdrejtë prej shtetit serb. Atyre iu është ofruar logjistika dhe krejt poligonet ushtarake duke i përfshirë, për të ushtruar ata, për mi marrë armët. Madje kemi fakte që pasur shkëmbim të armëve mes ushtrisë dhe këtij grupi terrorist…”, ka thënë Konjufca.