Kongresistet amerikane letër Trumpit: Ndërmjetëso në njohjen Kosovë-Serbi

Dy kongresiste amerikane, Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, i kanë drejtuar një letër Presidentit amerikan Donald Trump, ku i kërkojnë që të ndërmjetësojë në një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Letra është publikuar nga vetë Tenney në rrjetet sociale, ku theksohet rëndësia e angazhimit amerikan në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në letrën drejtuar Trump, kongresistet nënvizojnë se tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit kanë krijuar efekte zinxhir në rajonin e Ballkanit, të cilin e cilësojnë si të brishtë. Sipas tyre, destabiliteti në këtë rajon mund të shërbejë si pararendës për konflikte më të gjera globale.

“Pasi u takuam me zyrtarë kyçë të qeverisë si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, besojmë se ju dhe administrata juaj keni një moment unik në histori për të mundësuar një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë mes këtyre dy shteteve kyçe në Ballkan”, shkruhet në letër.

Tenney shton se një marrëveshje për njohje reciproke do të krijonte kushtet për një Ballkan më të qëndrueshëm dhe paqësor. Ajo inkurajon Trump që të përdorë influencën e tij dhe, nëse është e mundur, të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në kuadër të përpjekjeve për ndërmjetësim.

“Një ujdi e mundshme paqeje dhe njohje reciproke do të krijojë kushtet për një Ballkan më të qëndrueshëm dhe paqësor”, thekson më tej Tenney.