Konfiskohen mbi 250 kilogramë duhan në Prishtinë, Dogana jep detaje

Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kryer një kontroll operativ në një objekt pa mbishkrim pranë tregut të gjelbërt në Prishtinë, ku kanë gjetur dhe konfiskuar mbi 250 kilogramë duhan mbi dyshimin se është kontrabanduar.

Gjatë kontrollit janë gjetur edhe 1 mijë e 200 kilogramë mjaltë pa asnjë mbishkrim dhe 210 mijë copë filtera cigaresh.

“Malli është ndalur përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, për të udhëzuar hapat e mëtejshëm proceduralë. Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të angazhuara fuqishëm në luftimin e kontrabandës dhe në mbrojtjen e integritetit të tregut. Institucionet ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar për mallra të kontrabanduara”, thuhet në njoftim.