Konfiskimi i municionit në Zveçan, Elshani: Kishim informacione për armëmbajtje pa leje

Një aksion i Policisë së Kosovës në komunën e Zveçanit ka rezultuar me konfiskimin e një pushke gjysmë-automatike, 56 detonatorëve elektrikë, katër karikatorëve, 700 fishekëve dhe dy bajonetave.

Në lidhje me rastin është arrestuar një person, raporton Klankosova.tv.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha sot në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova se policia kishte marrë informacione paraprake për armëmbajtje pa leje.

“Ne ishim duke verifikuar disa persona për të cilët kishim informacione për armëmbajtje pa leje. Disa nuk kanë qenë aty, disa e kishin shitur armën, dikush e kishte ende në shtëpi. Në Zveçan kemi hasur në një pushkë gjysmë-automatike, 56 detonatorë elektrikë, katër karikatorë, 700 fishekë dhe dy bajoneta”,  deklaroi Elshani.