Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar edhe viktimën e tretë nga aksidenti tragjik në një punishte në distriktin Alsergrund të martën.
Bëhet fjalë për Istref Zekajn.
Ambasada ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.
Ambasada konfirmoi se në rast kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami e Asllan Musliu.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse. Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave.
Do të vazhdojme të ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Aksidenti ndodhi pasditen e së martës.
“Në oborrin e një pallati me disa apartamente, disa punëtorë ndërtimi janë mbuluar nga rrënojat për arsye ende të paqarta. Si pasojë, u kryen veprime të gjera shpëtimi dhe nxjerrjeje. Katër punëtorë ndërtimi u gjetën të vdekur. Një punëtor u shpëtua dhe u dërgua në spital. Hetimet e mëtejshme për shkakun e aksidentit janë në vazhdim”, ka konfirmuar Policia e Vjenës.
Sipas zjarrfikësve, rreth orës 14:30, gjatë punimeve të betonimit në kuadër të zgjerimit të katit të sipërm në një ndërtesë të vjetër në Porzellangasse pranë Bauernfeldplatz, u rrëzuan skele. Ato ranë në oborrin e brendshëm të ndërtesës.










