Në parkun kombëtar të Sharrit janë të ndërtuara katër hidrocentrale që devijojnë rreth 90 për qind të rrjedhjes së lumit. I njëjti rast është në Bjeshkët e Nemuna, ku gjenden tre hidrocentrale ilegalisht të ndërtuara.
Kështu ka thënë Egzona Shala Kadiu, drejtoresh e organizatës për mbrojtje të mjedisit “EcoZ”, e cila tha se nesër do ta mbajnë një koncert në kuadër të fushatës kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve.
Koncerti “Damn the damns”, është një thirrje për të ndaluar shkatërrimin e lumenjve dhe për të larguar objektet e ndërtuara që shfrytëzojnë këto trupa të ujit.
Në Bjeshkët e Brezovicës gjatë ditës do të mbahet një panair ku qytetarët të mund të shesin produktet e tyre, ndërsa në mbrëmje një koncert solidarizues ku do të performojnë Shpat Deda, Alban Nimani dhe Dren Abazi.
Organizimin e ka njoftuar Egzona Shala Kadiu, drejtoreshë e organizatës për mbrojtje të mjedisit “EcoZ”, përmes një konference për media.
Kadiu: Koncerti që do të mbahet nesër është një thirrje e fortë për të ndaluar shkatërrimin e lumenjve tanë
“Koncerti “Damn the dams”, që do të mbahet nesër, është një thirrje e fortë për të ndaluar shkatërrimin e lumenjve dhe për të larguar hidrocentralet e ndërtuara nga lumenjtë tanë, të cilat gjenden në mënyrë të paligjshme në parkun kombtar të Sharrit dhe atij të Bjeshkëve të Nemuna”, ka thënë ajo.
Kadiu bëri të ditur se në parkun e Sharrit dhe në Bjeshkët e Nemuna gjenden disa hidrocentrale, që sipas saj, nuk paraqesin ndërtime të ligjshme.
Kadiu: Në parkun kombëtar të Sharrit janë të ndërtuara katër hidrocentrale, në Bjeshkët e Nemuna tre
“Në parkun kombëtar të Sharrit janë të ndërtuara 4 hidrocentrale: Viça, Brezovica. Sharri dhe Shtërpca, me kapacitetet e tyre duke filluar nga 9.5 deri në 4.5 megavajt. Të gjitha këto e devijojnë rreth 90 për qind të rrjedhjes së lumit, mbi 5000 metra të lumit janë të vendosura në gypa. I njëjti rast është në Bjeshkët e Nemuna, ku gjenden tre hidrocentrale ilegalisht të ndërtuara nga kompania e KelKos-it, ndërsa në Sharr nga kompania Matkos”, tha ajo.
Sipas saj, ajo tregoi se hidrocentralet kanë rrezikuar të zhdukin specie të mbrojtura si trofta e egër dhe kanë ndikuar negativisht komunitetet që varen nga ky ujë, qoftë për jetesë, qoftë për bujqësi, turizëm dhe për ujë të pasur”.
Sipas drejtoreshës së EcoZ, ligjet tona ndalojnë ndërtimin e objekteve në parqe kombëtare, sidomos të hidrocentraleve që gjenden në zemër të këtyre lumenjve: të Lepencit dhe të Lumbardhit.
Organizata është duke i sfiduar hidrocentralet që nga viti 2016, dhe sot janë këtu “për të njëjtën kauzë”.
Për këtë kauzë janë mbajtur protesta të shumta si dhe janë bërë kërkesa nga vetë organizata në mënyrë që të merren masa të nevojshme.
“Kanë qenë të organizuara mbi 80 protesta, qoftë te pjesa e Brezovicës dhe Viçisë qoftë e Kelkosit në Bjeshkët e Nemuna. Kemi dorëzuar mbi 1200 nënshkrime nga qytetarët për largimin e këtyre hidrocentraleve, ndërsa vitin e kaluar kemi dërguar ankesë te Sekretariati i Komitetit të Energjisë, ku Kosova është nënshkruese e deklrataës së Sofjes dhe në këtë rast aplikohet e drejta e prodhimit të energjisë përmes burimeve të ripërtëritshme por që duhet të jetë në pajtim me ligjet e vendit, sidomos ligjeve mjedisore”, tha ajo./kp
The post Koncert proteste në zemër të Sharrit: “Jo hidrocentraleve të paligjshme” appeared first on Kosovapost.net.