Imami Ladi Lushi ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (KMSH), duke kritikuar qëndrimin pasiv të institucionit në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe vuajtjet e popullatës civile në Gaza.
Në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai theksoi se komuniteti mysliman në Shqipëri duhej të ishte një zë i fuqishëm pas shtetit, për të sensibilizuar opinionin publik dhe për të orientuar reagimin e shoqërisë në mënyrë të drejtë e të mençur.
“Komuniteti mysliman në Shqipëri duhet të kishte një rol shumë të madh këtu, duhet të ishte direkt pas shtetit që të sensibilizonte dhe të vepronte përmes të diturve, për të shpjeguar realitetin e situatës,” u shpreh hoxha.
Ai kritikoi faktin që Komuniteti Mysliman nuk ka pasur asnjë reagim të denjë në raport me konfliktin në Gaza, i cili prej më shumë se dy vitesh ka shkaktuar mijëra viktima, shumica civilë. “Duket sikur nuk iu intereson fare. Ka dy vite që lufta vazhdon në Gaza,” tha Lushi.
Sipas tij, indiferenca e KMSH-së lidhet me faktin që institucioni është nën ndikimin gylenist. “Komuniteti mysliman udhëhiqet nga një rrymë gyleniste dhe ata nuk e kanë primare këtë punë,” deklaroi ai. (A2 Televizion)
The post Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) udhëhiqet nga një rrymë gyleniste dhe ata nuk e kanë primare këtë punë appeared first on Kosovapost.net.