Komunat ia kthejnë Kurtit: Asnjë aktakuzë ndaj nesh – por ka në qeverinë tuaj

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë për deklaratat e fundit të z. Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, të cilat përmbajnë gjuhë fyese dhe paragjykuese ndaj kryetarëve të komunave.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i është kundërpërgjigjur deklaratave të fundit të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “nuk do t’u jap para kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”.
Sipas AKK-së, kjo deklaratë është fyese, paragjykuese dhe cënon rëndë integritetin e pushtetit lokal dhe të vetëqeverisjes në vend.

“Një kryeministër në detyrë nuk mund t’i trajtojë kryetarët e komunave si fajtorë kolektivë,” thuhet në reagim, ku theksohet se asnjë kryetar komune, që nga zgjedhjet e vitit 2021, nuk është nën aktakuzë për vjedhje.
Në anën tjetër, shton AKK-ja, në nivelin qendror ka ministra e zëvendësministra që janë përballur me aktakuza.

“Prandaj, përgjithësime të tilla pa bazë faktike dëmtojnë imazhin e pushtetit lokal dhe besimin e qytetarëve në institucionet komunale,” thuhet në reagim.

Asociacioni kujton se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur kryetarë nga të gjitha subjektet politike, shumë prej tyre pa balotazh – dëshmi e qartë e besimit të drejtpërdrejtë që qytetarët kanë ndaj udhëheqësve lokalë.
“Prandaj, lind pyetja e natyrshme: a përfshihen në këtë përçmim edhe kryetarët e Vetëvendosjes të zgjedhur që në raundin e parë?”

AKK-ja i rikujton Kryeministrit se buxheti i shtetit nuk është as plaçkë partie e as mjet presioni elektoral, por pronë e qytetarëve që duhet ndarë në mënyrë të drejtë dhe ligjore për të gjitha komunat.
Sipas Asociacionit, shumë kryetarë janë të pakënaqur me mënyrën se si ndahen investimet kapitale nga niveli qendror, pasi këto, ndryshe nga grantet qeveritare, shpërndahen jo mbi bazë të formulave ligjore, por sipas vendimeve politike, partiake dhe madje edhe etnike.

“I nderuar z. Kurti, fondet publike nuk janë për t’u shpërndarë sipas dëshirës apo bindjeve politike, por sipas ligjit,” thekson AKK-ja.
“Në një shtet demokratik, komunat nuk janë vartëse të vullnetit të qeverisë qendrore, por pjesë e barabartë e pushtetit institucional.”

Në fund, Asociacioni apelon për respekt institucional dhe dialog konstruktiv mes niveleve të qeverisjes, duke kërkuar që qeveria të zbatojë standardet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.
“Pushteti lokal nuk kërkon privilegje, por vetëm respektim të ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat – pavarësisht përkatësive politike apo etnike,” përfundon reagimi. /Demokracia.com/