Komuna reagon për ndalimin e punimeve në “Xhorxh Bush”: Nuk po dëmtojmë trashëgiminë kulturore

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore gjatë ditës sot i ka ndalur punimet në sheshin “Xhorxh Bush” të cilat nisën dje.

Komuna e Prishtinës përmes një konference për media tha se kjo është bërë me tendenca politike për ta bllokuar transformimin e kryeqytetit.

Drejtori për Planifikim Strategjik në këtë komunë, Arbër Sadiku, tha se projekti për sheshin “Xhorxh Bush” është në përputhshmëri të plotë me Planin Rregullues Urbanistik të vitit 2005, ku sipas tij, kjo zonë parashihet të kthehet në rrugë për këmbësorë dhe po ashtu tha se ky projekt është në përputhshmëri edhe me Planin Zhvillimor Urban të vitit 2013.

“Duke qenë një situatë e papritur, bashkë me Zyrën Ligjore do ta shohim se cilat janë kompetencat e institucionit gjegjës për të marrë masa radikale çfare i ka marrë, por s’jemi në gjendje që të japim përgjigje konkrete pasi që është çështje juridike të cilën do ta trajtojmë dhe do ta ndajmë me publikun”.

“Punët që i kemi të parapara me projektin në fjalë, jo që nuk cenojnë asetet e trashëgimisë arkitekturore por përkundrazi, kontribuojnë që ato asete të jenë pjesë e pandashme e qytetit”, tha Sadiku.

Më tej, ai tha se me intervenimet e dyshemesë, nuk cenohet asnjë kuadër, përkundrazi sipas tij, hapen peizazhet që mund të shijohen në këtë shesh.