Komuna e Suharekës hap afatin për aplikim për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

Komuna e Suharekës ka njoftuar se po vazhdon pranimi i kërkesave nga qytetarët që kanë pësuar dëme si pasojë e vërshimeve të fundit.

Të gjithë qytetarët e prekur ftohen që brenda afatit të përcaktuar të aplikojnë për vlerësimin e dëmeve pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.

Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Bali Muharremaj përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook.

Postimi i plotë:

NJOFTIM PËR PROCESIN DHE VLERËSIMIN E DËMEVE NGA VËRSHIMET

Komuna e Suharekës, njofton se vazhdon të pranoj më tutje kërkesa nga ana e qytetarëve, si pasojë e dëmtimeve të evidentuara nga vërshimet e fundit.

Të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet, ftohen që brenda afatit të përcaktuar të paragesin kërkesen e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmëve.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:

Kërkesa (merret dhe plotësohet në administratën komunale);

Kopje e letërnjoftimit;

Konfirmimi bankar (llogaria bankare në emër të aplikuesit);

Fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve (të jenë të printuara me ngjyrë);

Çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë (nëse ka).

Afati për aplikim:

– Afati për dorëzimin e kërkesave është deri më 22 janar 2026;

Kërkesat dorëzohen personalisht në Zyrën Nr 1, Drejtorinë e Bujqësisë apo tek Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente në Komunën e Suharekës.