Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin mbi ndërtimet që janë bërë në kryeqytet e të gjeturat nuk janë as afër me formën standarde të tyre. Nga 19 zona ndërtimi, sipas gjetjeve të ZKA-së, vetëm tre prej tyre kanë pasur plane të detajuara. Mes të tjerash, gjersa numri i leje të ndërtimit është ngritur, nuk janë plotësuar nevojat e banorëve siç janë ndërtimi i QKMF-ve, shtimi i linjave për transportin publik e të tjera.
Ndërtime pa plane të detajuara, qindra leje të lëshuara të ndërtimit të papërshtatura me numër të nevojshëm të infrastrukturës rrugore, rritje të shërbimeve shëndetësore e as transport i shtuar publik.
Këto janë vetëm disa nga një mori vërejtjesh që Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës.
Për rrjedhojë, ndërtimet janë shtuar e nevojat e banorëve kanë mbetur peng.
“Komuna edhe pse çdo vit lëshon me qindra leje të ndërtimit, nuk është siguruar që në përputhje me këtë numër të shtoj mjaftueshëm edhe infrastrukturë rrugore, shërbime shëndetësore e as transport publik. Ani pse Komuna në planet e saj parasheh edhe shtimin e shërbimeve publike për shtimin e numrit të banorëve, vitet e fundit numri i Qendrave të Mjekësisë Familjare është rritur për një, ndërsa nuk ka rritje në numrin e çerdheve dhe arsimit fillor dhe atij të mesëm”, thuhet nga Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Përpos lejeve të dhëna lirshëm, Komuna nuk kreu inspektimet në kohë.
“Inspektimet e vonuara dhe të paplanifikuara rrezikojnë sigurinë, cilësinë dhe pamundësojnë korrigjimin e të metave të mundshme Kryerja e inspektimeve pa plan dhe pa ndarje të qartë të detyrave dhe përgjegjësive, ka bërë që numri i inspektimeve të jetë shumë i ulët krahasuar me numrin e lejeve të lëshuara. Për më tepër shumica e inspektimeve nga ana e Komunës janë shumë të vonshme dhe bëhen vetëm pasi ndërtimi të jetë përfunduar, kjo pasi që inspektimet në proces me Udhëzimin Administrativ Nr. 05/2017 për Mbikëqyrje Inspektuese dhe Procedurën për Lëshimin e Certifikatës së Përdorimit i janë lënë investitorit. Mos inspektimi nga Komuna në faza të mëhershme dhe mungesa e kontrolleve në inspektimet e kryera nga investitori, nuk ofrojnë siguri që ndërtimet janë në përputhje me projektet, që janë të sigurta për banim e as që materiali i përdorur është i cilësisë së duhur. Këto inspektime pas ndërtimit janë shumë të vonshme dhe vështirojnë korrigjimet në rast se janë të nevojshme dhe dëmet potenciale janë vështirë të riparueshme”.
Në një intervistë vitin e kaluar, ish-drejtori i Inspekcionit në kryeqytet, Florian Dushi e arsyetonte këtë me numrin e ulët të inspektorëve duke thënë se minimumi, nevojiteshin edhe 40 të tjerë.
Por, ZKA ka gjetur se shpërndarja e lëndëve tek inspektorët është bërë jobarabartë, konkretisht një inspektor ka pasur mbi 90 lëndë gjersa tjetri,vetëm dy.
Ndonëse për televizionin Komuna nuk është shprehur e gatshme të deklarohet, në raportin e ZKA-së thuhet se Komuna e Prishtinës është pajtuar pjesërisht me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit.
Drejtoria e Inspekcionit është deklaruar se është marrë me harmonizim dhe standardizim të procedurave inspektuese mirëpo që miratimi i disa udhëzuesve nuk është në domenin e saj. E këtë e ka kundërshtuar ZKA.
E kjo e fundit, komunës ia ka dhënë disa rekomandime, përfshirë hartimin e planeve të detajuara rregulluese, e ndarjen e përgjegjësive të drejtorive.
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit:
-të hartoj planet detaje rregulluese për të gjitha zonat ndërtimore të qytetit, që sigurojnë rregullimin e parcelave, destinimin e tokave dhe mënyrën e kompensimit të tokave;
• të shtojë kontrollet dhe të bëjë ndarje të qartë të detyrave në procesin e lëshimit të lejeve, për të siguruar trajtim të barabartë për çdo investitor;
• të bëjë ndarjen e qartë të detyrave dhe përgjegjësive mes drejtorisë së inspekcionit dhe urbanizmit, e rrjedhimisht të dihet se kush për çfarë është llogaridhënës;
• themelimin e mekanizmave që identifikon fazat e domosdoshme për inspektim, duke siguruar shpërndarje të drejtë të detyrave dhe cilësi në inspektim;
• të rris angazhimin për t’u siguruar se inspektimet e realizuara nga ekipet e angazhuara nga investitorët, janë profesionale dhe të mbështetura me dëshmi. Për më tepër të krijoj mekanizëm i cili kërkon që inspektimet e bëra të aprovohen nga Komuna, para se të konsiderohen të përfunduara;
• të rris angazhimin në parandalimin e vonesave në inkasimin e obligimeve financiare nga investitorët, rrjedhimisht mos të bëhet kjo shkak për demotivimin e investitorit për të kërkuar pajisjen me certifikatë të përdorimit; dhe
• të funksionalizoj sistemin e-leja i cili mundëson përcjelljen e tërë procesit nga lëshimi i lejes e deri në certifikatë të përdorimit, i cili i mundëson edhe identifikimin e vonesa dhe mangësive potenciale.
Mes të tjerash, në raportin e ZKA-së thuhet se ndërtesat janë tri-katër kate më të larta se sa janë paraparë në plane urbane.