Më 6 nëntor 2024, Komuna e Prishtinës organizoi një ceremoni për të përuruar nisjen e punimeve në projektin “Ishulli Urban në lagjen Arbëria”, që parashihet të lidhë lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë. Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili preu shiritin e punimeve, edhe pse projekti nuk posedon leje ndërtimi, një detyrim ligjor për çdo ndërhyrje ndërtimore të kësaj natyre, shkruan Demorkacia.com.
Punimet në këtë zonë janë nisur dhe ndërprerë disa herë për shkak të një kontesti mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, një situatë që po përsëritet sikurse në projektin për sheshin “Xhorxh Bush” dhe nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”. Sot, Komuna ka njoftuar se punimet në Arbëri kanë rifilluar sërish, edhe pse para disa javësh në të njëjtin vend ishte bërë një investim në shtresën asfaltike, që më pas u mbyll pa sqarime.
Lidhur më rinisjen e ndërtimeve ka njoftua, Visar Geci i cili është këshilltar i kryetarit Përparim Rama.
Ai ka përdorur një gjuhë me fjalorë të pa përshtatshëm dhe fyes në drejtim të inspektoratit të MRKRS-së.
Për më tepër, edhe pse pjesa aktuale ku po punohet nuk është e mbrojtur si zonë trashëgimie, ndërhyrja është në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi Komuna nuk ka lëshuar leje ndërtimi për këtë projekt, që përfshin ndërtimin e një strukture metalike me ashensorë dhe platforma, si dhe një objekt ndërlidhës mbi rrugë. Çdo qytetar që do të ndërtonte diçka të ngjashme në pronën e vet, pa dokumentacion të rregullt, do të përballej me ndërhyrjen e menjëhershme të inspektoratit komunal dhe rrënimin e objektit.
Sipas Ligjit për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ nr. 04/2017 për kategorizimin e ndërtimeve, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës është e obliguar të lëshojë leje ndërtimi për çdo projekt të kësaj natyre , një praktikë që e ka ndjekur për objekte publike të ngjashme, si tribunat lindore të stadiumit “2 Korriku” apo për ndërtimin e një ndërtese tjetër të vetë komunës.
Demokracia.com javë më parë ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës lidhur me mungesën e lejes për këtë projekt, por nuk ka marrë përgjigje. Në faqen zyrtare të komunës, ku publikohen lejet ndërtimore, nuk figuron asnjë leje për projektin “Ishulli Urban”.
Ruga u bllokua disa herw për disa muaj. Punimet u ndalën. Pastaj u hap sërish, me zgjerim në asfalt, sa për të arsyetuar disa mijëra euro të shpenzuara kot.
Tash pasi kanw rifilluar punimet, del se investimi paraprak ka qenë veç një keqpërdorim tjetër i buxhetit.
Në fund të muajit të kaluar, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve inspektoi vendpunishten dhe, më 1 nëntor, lëshoi një procesverbal për ndaljen e menjëhershme të punimeve.
“Punimet janë ndalur pasi komuna nuk ka pëlqim për zhvillimin e atij projekti”, kishte deklaruar zëvendësuesja e Drejtorit të Inspektoratit, Gjejlane Hoxha.
Ndërkohë, Demokracia.com i ka drejtuar pyetje edhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) mbi këtë çështje, përfshirë nëse punimet janë ndalur me kërkesë të saj, çfarë lejesh ishin të nevojshme dhe nëse komuna ka aplikuar për to. Deri tani, MKRS nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
“Ne nuk kemi pranuar kurrfarë projekti për këtë investim dhe nuk është kërkuar pëlqim, ashtu siç përcakton legjislacioni”, patën thënë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve.
Por, pasi i janë ndërprerë punimet nëpërmjet të cilave komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni ka gjetur një zgjedhje: ka zhvendosur tabelat matanë rrugës dhe hekurudhës dhe i ka nisur punimet në “Arbëri”.
Inaugurimi i punimeve është bërë me alamet ceremonie, por nuk është treguar se nuk mund të vazhdohet tutje në drejtim të Pallatit të Rinisë. Por, hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Dhe ka pas kritika të ashpra se ligji nuk lejon që të bëhet ndonjë ndërtim të pakten deri në rreth 50 metra largësi nga vija e hekurudhës. Me hekurudhat menaxhon kompania publike “Infrakos”. As ky institucion nuk është përgjigjur në pyetjet se “Çfarë leje ka qenë e nevojshme nga Infrakos për komunën që të nisë punimet në atë zonë? A ka aplikuar komuna për këtë leje? Nëse po, kur është bërë aplikimi? Ligjërisht, a ka pasur të drejtë komuna të nisë punimet aty pa leje paraprake?”.
Projekti është hartuar nga kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” dhe është paguar për të.
Kush po ndërton?
Tenderi për ndërtimin e ishullit urban që lidh lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë në Prishtinë kishte tërhequr vetëm një ofertë, me një vlerë prej mbi 6.5 milionë euro. Pas zhbllokimit të procesit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), Komuna e Prishtinës ishte lejuar të vazhdojë me procedurat e mëtejshme. Megjithatë, në garë kishte mbetur vetëm një konsorcium, i përbërë nga kompani me lidhje të afërta me LDK-në, disa prej të cilave kanë pasur probleme me ligjin, shkruan Demokracia.com.
Më 20 shtator ishte bërë hapja e ofertave për tenderin “Ndërtimi i ishullit urban Arbëri – Pallati i Rinisë”. Sipas dokumenteve që ka parë Demokracia.com, në garë ka qenë vetëm konsorciumi NNP “Euro Construction”, “Euro Labi” shpk, “Beni Construction” shpk dhe “Arifaj” shpk, me një ofertë në vlerë prej 6,589,459.60 euro.
Demokracia.com ka zbuluar se disa nga kompanitë pjesëmarrëse në konsorcium janë të afërta me LDK-në, ndërsa disa prej tyre kanë pasur probleme edhe me ligjin.
Konsorciumit i prin kompania lider NNP “Euro Construction” që për pronar e ka Bislim Morinën.
Në vitin 2013, Bislim Morina kishte hapur kompaninë N.N.P. “EURO CONSTRUCTION”. Një vit më vonë u emërua Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, si zyrtar nga radhët e LDK-së. Këtë post e mbajti përreth dy mandate (2013-2017) dhe njëkohësisht shërbente edhe si pjesë e strukturave të LDK-së në Rahovec.
Kjo kompani ka fituar disa tenderë nga Komuna e Prishtinës.
Në konsorcium me kompaninë NNP “Euro Construction” është edhe kompania “Euro Abi”.
Kjo kompani ka për pronar Kadrush Rexhepin. Në janar të vitit 2023, Rexhepi është shpallur fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për falsifikim të kontratës së punëtorit. Shtatë vite më parë, Mentor Ramadani kishte pësuar një aksident në vendin e tij të punës në Gjakovë. Nga ajo kohë, Mentor Ramadani edhe sot nuk mund të ecën lirshëm si shkas i lëndimit në këmbën e tij të majtë për shkak të ndërhyrjeve të shumta kirurgjike që ka pasur.
Mentor Ramadani kishte paraqitur dyshimet e tij se ish-shefi Kadrush Rexhepi, pronar i “Euro Abi” i kishte falsifikuar kontratën e punës. Kështu, sipas gjetjeve të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është ngritur aktakuzë kundër Kadrush Rexhepit për veprën “falsifikim i dokumenteve”, vepër kjo që në kohën e kryerjes është dënuar me gjobë ose me dënim me burg deri në 3 vjet. Për këtë vepër që rëndon ndaj tij, Kadrush Rexhepi, më 27 janar 2023 u shpall fajtor nga Gjykata e Ferizajt dhe për këtë u dënua me gjobë në vlerë 3000 euro. Mirëpo, kjo nuk është çështja e vetme penale që pronari i “Euro Abit” është përballur me drejtësinë për të njëjtin punëtor. Ndaj Kadrush Rexhepit kanë rënduar edhe akuzat për veprën penale të asgjësimit, dëmtimit ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës. Në këtë rast të lëndimit në punë kishte pësuar i dëmtuari Mentor Ramadani, duke rënë nga një lartësi prej 8 metrash. Sipas aktakuzës, në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi, si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk i kishte siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve. Në këtë rast, deri sa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinëpunues në firmën “Euro-Abi”, kishte qenë duke bartur një panel-llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë, përcjell Demokracia.com.
Në vitin e kaluar, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe me urdhër të gjykatës kishte kryer bastisje në dhjetë biznese në regjionin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë e Lipjanit. Ky aksion policor rezultoi me arrestimin e 14 personave, disa prej të cilëve pronarë të auto salloneve e kompanive të tjera, të dyshuar për fajde, detyrim e shmangie nga tatimi. Gjatë këtij operacioni, u konfiskuan mbi 20 vetura, rreth 84 mijë euro, armë e prova të tjera.
Ndërmarrja tregtare ‘Euro Abi’ që funksionon në tri njësi, dy prej tyre në magjistralen Prishtinë – Ferizaj dhe një në Graçanicë, ishte cak i bastisjes nga shteti. Si pasojë, në prangat e Policisë së Kosovës kishte rënë pronari i kompanisë Shefik Rexhepi (tash Zeqiri).
Rexhepi dyshohej për veprën penale ‘Fajde’, pasi sipas Prokurorisë, nga fillimi i vitit 2020, ai bashkë me të dyshuarin tjetër Gëzim Sinani, kishin kontraktuar shumë joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.
I dëmtuari Xh.Sh. për shkak të gjendjes së vështirë financiare dhe në pamundësi për të marrë kredi në bankat komerciale, ishte detyruar të kërkonte para nga Gëzim Sinani.
“Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2020 i pandehuri Shefik si pronar i ndërmarrjes tregtare ‘Euro Ab’, në bashkëkryerje me të pandehurin Gëzim Sinani, kanë kontraktuar shumë joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit, në atë mënyrë që i dëmtuari Xhevdet Shala, për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19 dhe pamundësisë që të marrë kredi në bankat komerciale është detyruar të kërkojë para nga Gëzim Sinani, i cili paratë i kishte siguruar nga i pandehuri në atë mënyrë që ka kontraktuar armaturë në vlerë rreth 500 mijë euro me fajde nga 2 mijë euro për kamion dhe 10 centë më shtrenjtë për kilogram të armaturës, të cilën e kanë shitur te personat e tretë, kurse paratë i ka marrë i dëmtuari Xhevdet Shala për t’i paguar fajdet ndaj personave të tretë, kështu që borxhi i tij ka arritur mbi një milion euro, kështu që për t’i paguar borxhin dhe fajdet për të pandehurin Shefik Rexhepi, është detyruar të marrë kredi në bankë të cilat para pastaj janë transferuar në llogarinë e ndërmarrjes për prodhimin e betonit ‘Ima shpk’, e cila është pronë faktike e të pandehurit Gëzim Sinani në këtë mënyrë i pandehuri ka pësuar dëm pasuror në vlerë rreth 500 mijë euro”, thuhet në kërkesën për paraburgim, përcjell Demokracia.com.
Pjesë e konsorciumit tek tenderi i Komunës së Prishtinës është edhe “Beni Construction SHPK”, e cila merr shpesh punë në Prishtinë. Pronar i kompanisë është Arben Shahini. Në tetor të vitit 2023, Policia e Kosovës kishte ndaluar pronarin e ndërmarrjes ndërtimore “Beni Construction SHPK”, Arben Shahinin, i cili dyshohej se kishte pranuar ryshfet në rastin “Brezovica”. Ai dyshohej se kishte bashkëpunuar me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq. Sipas njoftimit të gjykatës, Shahini po hetohej për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “marrja e ryshfetit në ndihmë”.
“Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale në bashkëkryerje marrja e ryshfetit në ndihmë nga neni 428 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe ky dyshim i bazuar mbështetet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë”, thuhej në njoftim, përcjell Demokracia.com.
Po ashtu, në konsorcium është edhe kompania “Arifaj” shpk. Kjo kompani është me bazë në Shqipëri, por e ka degën e saj edhe në Kosovë të hapur në vitin 2021, me drejtor menaxhues Shaqir Belaj, i cili njëherësh është administrator i kësaj kompanie edhe në Shqipëri bashkë me Ibishe Meçka, Rezarta Bokçiu, Kjo e fundit rezulton aksionare me 100 për qind të aksioneve. Kompania e saj ishte përfshirë në një skandal para disa vitesh, ku kishte dërguar prapa grilave ish-drejtuesin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika. Nën akuzë ishte vendosur edhe Bokçiu për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 135 – 25 të Kodit Penal. Gjykata kishte vendosur një masë arresti shtëpiak ndaj saj.
Më 22 korrik, Komuna e Prishtinës shpalli njoftimin për kontratë për projektin “Ndërtimi i ishullit urban Arbëri-Pallati i Rinisë”. Vlera e parashikuar e këtij tenderi është 6,760,000.00 euro dhe kohëzgjatja e ndërtimit është planifikuar të jetë 180 ditë. Ky tender po zhvillohet me procedurë të hapur dhe konsiderohet si një projekt me vlerë të madhe. /Demokracia.com/