Komuna e Prishtinës nisi ndërtimin e Sheshit Xhorxh Bush pa fonde të mjaftueshme të aprovuara, duke shkelur rregulloret financiare

Disa ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka nisur ndërtime të Sheshit Xhorxh Bush. Megjithatë, punimet janë ndalur me urdhër të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, pasi ky institucion pretendon se Komuna nuk ka marrë pëlqimin e nevojshëm për punimet në disa zona të mbrojtura me ligjin për trashëgimi kulturore. Por përtej kësaj, Demokracia.com ka gjetur se Komuna ka shkelur disa rregullore financiare duke futur në tenderim projektin e sheshit pa siguruar financimin e duhur. Ky veprim ka rënë ndesh me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Më 15 gusht 2024, prokurimi komunal shpalli njoftimin për kontratën e ndërtimit të sheshit me vlerë 18.4 milionë euro. Megjithatë, në buxhetin e vitit 2024, për këtë projekt figuronin vetëm 500 mijë euro. Meqë tenderi nuk u finalizua në vitin e kaluar, Komuna vendosi 4.5 milionë euro në buxhetin e vitit 2025 për financimin e projektit.

Kontrata e nënshkruar me konsorciumin e kompanive ‘Salillari’ SHPK, ‘Gjini Construction’ dhe ‘Hidroterm’, të cilat fituan me një ofertë prej 18.162 milionë euro, parashikon një afat prej 240 ditësh pune për realizimin e projektit. Me qen se e projekti tenderi nuk arriti të finalizohej në vitin e kaluar, Komuna në buxhetin e vitit 2025 vendosi një shumë prej 4.5 milionë euro për financimin e sheshit.

Ku do të sigurohen 12 milionë euro të tjera?

Një nga pyetjet kyçe që lind nga kjo situatë është: nga do të sigurojë Komuna e Prishtinës shumën e mbetur prej rreth 12 milionë eurosh, kur në buxhetin e aprovuar për vitin 2025 janë paraparë vetëm 6.5 milionë euro?

Sipas rregullave financiare, pagesat që bëhen me stacione duhet të kryhen brenda vitit, përveç një shume të vogël që mund të paguhet pas pranimit teknik të projektit.

Të dhënat e Demokracia.com tregojnë se ky veprim i Komunës, që përfshin një obligim financiar prej 16.1 milionë eurosh me vetëm 6.5 milionë euro të aprovuara, përfaqëson një shkelje të rëndë të rregulloreve financiare në fuqi.

Shkeljet ligjore

Komuna ka inicuar projektin pa siguruar mjetet e nevojshme financiare, duke shkelur nenin 5 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe nenin 12 paragrafi 2 të Rregullit Financiar Nr. 01/2013/MF. Si rrjedhojë, Deklarata e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve (DNPDF), e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Administrativ (ZKA) dhe Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF), është bërë në kundërshim me Ligjin për ndarjet buxhetore dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

Vlera e kontratës prej 18.4 milionë eurosh bie ndesh me Planin e Prokurimit dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore (2025-2027), e cila parashikon vetëm 4.5 milionë euro për sheshin.

Për shkak se Komuna nuk ka fonde të mjaftueshme, pritet që të marrë mjete financiare nga projekte të tjera kapitale, ashtu siç ka vepruar edhe në vitin 2024 e 2023. Ky veprim do të përbëjë një shkelje të rëndë ligjore.

Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit

ZKA kishte rekomanduar vitin e kaluar që Komuna të mos kryente shpenzime të tilla të paautorizuara. Raporti i vitit 2023 evidentoi keqklasifikime të shpenzimeve në vlerë 4.335.532 euro:

  • Nga investimet kapitale janë paguar mallra dhe shërbime në 8 raste, vlerë totale: 1.217.757 euro;
  • Nga mallrat dhe shërbimet janë paguar subvencione dhe transferta në 13 raste, vlerë: 1.541.837 euro;
  • Nga mallrat dhe shërbimet janë financuar investime kapitale në 3 raste, vlerë: 800.000 euro;
  • Keqklasifikime të pagesave të Thesarit për pagat jubilare dhe shujtat e arsimtarëve nga kategori të gabuara, vlerë: 775.938 euro.

“Këto praktika financiare të gabuara ndikojnë në raportime financiare të pasakta dhe rrezikojnë planifikimin e investimeve të ardhshme kapitale. Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që shpenzimet planifikohen dhe realizohen sipas kategorive ekonomike adekuate, duke përputhur ato me planin kontabël për raportim të saktë financiar”

 

Në dy rastet Komuna Prishtinës ka shkruar se është pajtuar më këto të gjetura, por edhe vitin e kaluar ka përsëritur të njëjtat veprime, siç ka raportuar Demorkacia.com, dhe po ashtu do të veprojë edhe në rastin e sheshit, nëse tejkalohen problemet me Ministrinë e Kulturës.

Se si ka menduar të kryej sheshin 18.1 milionë euro më vetëm 6.5 milionë të zotuara për këtë projekt, Komuna Prishtinës nuk është përgjigjur në këtë pyetje. /Demokracia.com/