Procesi i diskutueshëm i tenderimit për renovimin e shkollës fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë, i cili muaj më parë ishte bllokuar dhe përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, është zhbllokuar. OSHP ka dhënë dritën e gjelbër për vazhdimin e procedurës, dhe vetëm pak ditë më parë, dhe më 3 dhjetor 2025, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën me konsorciumin e njëjtë të shpallur fitues më herët, atë të përbërë nga “Art-Eda” sh.p.k. dhe “H&S Partners Group” sh.p.k, shkruan Demokracia.com.
Kompania lidere e këtij konsorciumi, “Art-Eda” sh.p.k., është 100% në pronësi të Besim Mulajt, ish-kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Vetëm katër ditë pas nënshkrimit të kontratës, më 7 dhjetor, Mulaj u zyrtarizua nga LDK si kandidat për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, që ngre dilema të reja mbi etikën e kontraktimeve publike në kryeqytet.

Ai u zyrtarizua si kandidat nga Dega e Istogut, bashkë me nënkryetarin e Prishtinës – ku ai nënshkroi kontratën – Shkëmb Manaj, si dhe me Serbeze Kabashi-Muçaj.
Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka nënshkruar kontratën për projektin “Renovimi i shkollave fillore – Mbulimi i kulmit të rrafshët, renovimi i mureve të dëmtuara dhe riparimi i dyshemesë të shkollës ‘Qamil Batalli’”, me vlerë 79,898.98 euro.
Për tenderin kanë konkurruar katër operatorë ekonomikë, ndërsa konsorciumi i Mulajt ka fituar pavarësisht se ka ofruar çmimin e katërt më të lartë në garë.
Ky është tenderi i dytë brenda pak kohesh që e fitonte i njëjti konsorcium. Po ky grup operatorësh ishte shpall fitues edhe për projektin “Ndërtimi dhe Renovimi i Qendrave të Ndryshme Sociale në disa lagje të Prishtinës”, me vlerë 19,667.73 euro, ku është përdorur sistemi i poentimit.
Ish-kandidati për deputet nga LDK, fiton tender 100 mijë euro në Prishtinë
Ky aktivitet prokurimi për “Qamil Batallin” ishte bllokuar për muaj të tërë pasi kompania “ALBI COMPANY” kishte dorëzuar ankesë në OSHP, duke pretenduar se konsorciumi fitues:
nuk i ka përmbushur kriteret ligjore,
ka përdorur staf profesional të kompanisë Loni sh.p.k., e cila ka kontrata aktive me Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), ku drejtor i prokurimit është vetë Besim Mulaj,
është përfshirë në një situatë që krijon konflikt të drejtpërdrejtë interesi,
ka dorëzuar dokumente të paqarta për qiranë e pajisjeve dhe mekanizmave teknikë,
ka përfshirë si inxhinier kyç një punonjës aktiv të një ndërmarrjeje publike të Komunës së Prishtinës.
Në ankesë, ALBI COMPANY ka shkruar se nëse stafi i kompanisë Loni sh.p.k. njëkohësisht është i angazhuar në kontratat aktive të AMKMK-së – ku Mulaj është drejtor i Prokurimit, atëherë situata krijon konflikt të pastër interesi, duke cenuar barazinë në garë dhe integritetin e procesit.
“Sipas Certifikatës së regjistrimit në ARBK konstatohet se Besim Mulaj është pronar i kompanisë. Z. Mulaj është drejtor i Prokurimit në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialeve të Kosovës (AMKMK). Sipas dokumenteve të dorëzuara nga grupi i operatorëve ekonomikë (GR OE) që është shpallur fitues i këtij aktiviteti, ne si operator ekonomik ankues kemi hasur se i njëjti GR OE ka përdorur dokumentat e stafit profesional, teknik dhe mbështetës të kompanisë LONI sh.p.k. Sipas CV-ve dhe referencave të tyre, përshkruhet se këta persona janë të punësuar aktivisht tek OE LONI sh.p.k., si: z. Musli Kuteshi – inxhinier i ndërtimtarisë konstruktiv; Emir Bunjaku, inxhinier arkitekture; z. Mirsim Maloku – bachelor i emergjencave; Shemsi Maloku – teknik i ndërtimtarisë; Arsim Maloku – zdrukthtar; Ferat Maloku – armues; Ragip Latifi – mjeshtër; dhe Vehbi Jetullahu – armues. Ne si operator ekonomik konsiderojmë konflikt interesi nëse i njëjti staf i lartpërmendur është përgjegjës për ekzekutimin e kontratave që OE Loni sh.p.k. i ka aktive me AK-se AMKMK, ku drejtor i prokurimit është z. Mulaj. Nëse vërtetohet kjo, ku kërkojmë që të vërtetohet, se OE Loni sh.p.k. posedon kontrata aktive me AK-se AMKMK dhe nëse OE Loni sh.p.k. e angazhon të njëjtën staf për ekzekutimin e kontratave aktive me AMKMK, atëherë është e paarsyeshme të vazhdojmë më tej përveçse të angazhojmë nga AK-se KK Prishtinë dhe OSHP – Policinë e Krimeve Ekonomike për hetim. Si operator ekonomik kemi kërkuar nga ana juaj, si Zyrë e Prokurimit, që të kërkoni në KRPP ose në AMKMK nëse OE Loni sh.p.k. Prishtinë ka kontrata aktive me AMKMK, dhe nëse po, sa kontrata aktive posedon, dhe a është i njëjti staf i angazhuar në këto kontrata, pasi sipas referencave të këtyre të punësuarve rezulton se OE Loni ka qenë gjithmonë operator kontraktues me AMKMK, ku z. Mulaj është drejtor i prokurimit”, thuhet në ankesë.
Po ashtu, sipas dokumenteve të ankuesit, një nga inxhinierët kyç të grupit fitues, Emir Bunjaku, është i punësuar aktiv në një ndërmarrje publike e cila është pronë e Komunës së Prishtinës. Angazhimi i tij nga ana e kompanisë fituese për tenderin e Komunës konsiderohet nga ankuesi si shkelje e rregullave të prokurimit dhe konflikt interesi.
Megjithatë, pas disa muajsh shqyrtim, OSHP ka lejuar vazhdimin e procedurës, duke hapur rrugën për nënshkrimin e kontratës më 3 dhjetor.
Përveç pronësisë së tij në kompaninë “Art-Eda”, Besim Mulaj është udhëheq Divizionin e Prokurimit në AMKMK. Nga viti 2022 është i angazhuar si ekspert i jashtëm në OSHP. Së fundmi është rikthyer edhe në skenën politike si kandidat i LDK-së për deputet.
Deklarimi i tij i pasurisë tregon se ai posedon 100% të aksioneve të kompanisë që ka fituar kontratën publike në kryeqytet. /Demokracia.com/











