Komuna e Prishtinës ka nisur dje dekorimin e sheshit të qytetit për festat e fundvitit, pasi ka lidhur një kontratë emergjente përmes procedurës së negociuar, pa shpallur tender të hapur publik, shkruan Demokracia.com.
Sipas njoftimit për vendimin e autoritetit kontraktues, të lëshuar nga Sektori i Prokurimit, kontrata mban titullin “Dekorimi i kryeqytetit për festat e fundvitit – Negociuar”, ndërsa procedura është zhvilluar pa konkurrencë të hapur, duke u ftuar drejtpërdrejt vetëm disa operatorë ekonomikë.
Në këtë proces, Komuna e Prishtinës ka ftuar tri kompani për të paraqitur oferta:
-
“Te Fatosi” SH.P.K.
-
Adhurim Haraqia B.I.
-
BESA COMPANY SH.P.K.
Sipas dokumentit zyrtar, fituese e kontratës është shpallur kompania “Te Fatosi” SH.P.K., me ofertë të negociuar në vlerë 97,057 euro me TVSH, ndonëse ofertat e kompanive të tjera kanë qenë të përafërta, duke arritur deri në 99,520 euro.

Vendimi për dhënien e kontratës është marrë më 11 dhjetor 2025, ndërsa njoftimi është nënshkruar nga zyrtari përgjegjës i prokurimit, Visar Shehu.
Procedura e negociuar pa publikim të kontratës së hapur zakonisht arsyetohet me urgjencë ekstreme ose rrethana të paparashikueshme. Megjithatë, dekorimi i qytetit për festat e fundvitit është një aktivitet i përsëritur çdo vit, gjë që ngre dyshime mbi arsyet reale pse Komuna nuk ka zhvilluar një procedurë të rregullt dhe transparente prokurimi.
Kjo nuk është hera e parë që Komuna e Prishtinës përdor procedura të negociuara për shërbime që konsiderohen të parashikueshme, duke kufizuar konkurrencën dhe transparencën në shpenzimin e parasë publike.
Dekorimet në shesh tashmë kanë nisur, ndërkohë që vendimi për kontratën emergjente është marrë vetëm pak ditë para fillimit të festave. /Demokracia.com/











