Komuna e Prishtinës ka hapur tenderin për ndërtimin e ndërtesës së re të Liceut Artistik me një vlerë të përgjithshme prej 8.5 milionë euro, duke paraparë përfundimin e punimeve brenda 250 ditëve nga nënshkrimi i kontratës, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, tenderi është shpallur pa pasur të siguruara mjetet financiare për realizimin e projektit, një veprim që bie ndesh me nenin 5 të Ligjit për Prokurim Publik dhe nenin 12, paragrafi 2, të Rregullores Financiare Nr. 01/2013/MF. Sipas planit të prokurimit dhe buxhetit të vitit 2025, për këtë projekt janë paraparë vetëm 500 mijë euro, shumë kjo shumë më e ulët se vlera e kontratës së planifikuar.
Në aspektin teknik, tenderi përfshin kërkesa të larta për operatorët ekonomikë, përfshirë posedimin e një sërë certifikatash ISO: ISO 9001:2015, ISO 14001:2015, ISO 45001:2018, ISO 39001:2012, ISO 27001:2022 dhe ISO 50001:2018. Edhe në rastet kur në tender paraqiten grupe operatorësh, kërkohet që të paktën një prej anëtarëve të zotërojë të gjitha këto certifikata.
Demokracia.com, ka zbërthyer se për çka kanë të bëjnë këto ISO standarde dhe ka gjetur se te paktën dy nga to ISO 39001 dhe ISO 27001 mund të jenë kufizuese sepse shumë kompani ndërtimi nuk i kanë këto certifikata, për shkak se nuk janë standarde tipike për këtë fushë. Kërkesa që operatori të ketë të gjitha këto certifikata (edhe pse nga grupi mjafton vetëm një anëtar), mund të kufizojë konkurrencën dhe të favorizojë kompani më të mëdha dhe më të specializuara në standarde.
Certifikatat ISO të kërkuara dhe vlerësimi i tyre:
ISO 9001:2015 – Menaxhimi i Cilësisë
Adekuate dhe shumë e rëndësishme. Ky është standardi bazë për menaxhimin e cilësisë në organizata. Për një projekt ndërtimi të madh, kjo tregon që operatori ka një sistem të mirë menaxhimi për të siguruar cilësi në punë.
ISO 14001:2015 – Menaxhimi Mjedisor
Kjo mund të jetë adekuate dhe pozitive. Tregon që firma ka sistem menaxhimi mjedisor dhe përpiqet të minimizojë ndikimin në mjedis, gjë që është gjithnjë më e rëndësishme në projekte ndërtimi.
ISO 45001:2018 – Menaxhimi i Shëndetit dhe Sigurisë në Punë
Shumë adekuate, pasi garanton që operatori ka masa për siguri dhe shëndet në punë, një kërkesë thelbësore në ndërtim.
ISO 39001:2012 – Menaxhimi i Sigurisë Rrugore
Më pak relevante për ndërtim objektesh. Kjo lidhet kryesisht me sigurinë në transport dhe rrugë, pra për kompani transporti apo logjistike. Mund të jetë pak e tepruar ose e panevojshme për një projekt ndërtimi, përveç nëse operatori është përgjegjës për transport të rëndë materialesh.
ISO 27001:2022 – Menaxhimi i Sigurisë së Informacionit
Shumw relevante për ndërtim, pasi ky standard është i fokusuar në menaxhimin e sigurisë së informacionit dhe të dhënave, i rëndësishëm për kompani IT, por jo aq për ndërtim përveç nëse ka ndonjë kërkesë të veçantë për sigurinë e të dhënave (p.sh. të dhëna sensitive projektuale).
ISO 50001:2018 – Menaxhimi i Energjisë
Relativisht adekuate, pasi rregon që operatori ka sistem menaxhimi për përdorimin efikas të energjisë, gjë që mund të ketë ndikim pozitiv në ndërtim dhe menaxhimin e burimeve.
Gjithashtu, kërkesat për stafin profesional janë të detajuara dhe të ngritura në standarde të larta. Për çdo pozicion kërkohet:
-
Diplomë universitare (bachelor/master),
-
Certifikime profesionale specifike (si për menaxhim kantieri, mbrojtje nga zjarri, saldim IWS, trajnim në fushën e sigurisë, certifikata ISO),
-
Përvojë minimale nga 3 deri në 10 vjet në fushën përkatëse,
-
Dokumentacion mbështetës të plotë (diploma të noterizuara, CV të nënshkruar, kontrata të angazhimit dhe referenca).
Pozicione kyçe të kërkuara për projektin përfshijnë: Menaxher Projekti, Inxhinierë të ndërtimtarisë, makinerisë, elektroteknikës, arkitekturës, si dhe ekspertë për menaxhim të mjedisit dhe emergjencave. Kjo është përzgjedhje e ngushtë dhe e pajustifikueshme.
Një tjetër kërkesë duket qe te jete kufizuese, “1.Operatori Ekonomik duhet të ketë përfunduar kontrata të natyrës së punëve të ndërtimit të shkollave,qerdheve dhe objekte administrative, të përfunduara me sukses gjatë 3 (tre) vitet e fundit, deri në datën e publikimit të këtij Njoftimi të Kontratës, Vlera Totale e Kontratave të natyrës së punëve të ngjajshme te tilla mund te konsiderone te gjitha referencat per punimet e ndertimit te shkollave, qerdheve, objekteve administrative te jete min 9,000,000.00 Euro. Te kete min. dy kontrata te ndertimit me kompleksitet te njejte ne vlere secila min. 3.0 mil. EUR. Në rast të konzorciumit, udhëheqësi i grupit duhet të mbulojë së paku 50% të referencave të kërkuara më lartë”.
Duke kërkuar vetëm projekte të kategorisë shkolla/qerdhe/objekte administrative, përjashtohen shumë kompani që kanë përvojë në objekte të ngjashme (si p.sh. qendra shëndetësore, palestra, biblioteka, objekte kulturore, etj.), që teknikisht janë të krahasueshme.
Ndërtimi i një qendre kulturore ose objekti banesor me kompleksitet të lartë kërkon aftësi të njëjta, ndonjëherë edhe më të mëdha.
Struktura e këtij tenderi, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë teknik, është ngritur në një nivel që potencialisht përjashton operatorët e mesëm ekonomikë dhe kufizon konkurrencën e hapur. Kërkesat e shumta për certifikata ISO, dhe kriteret rigoroze për stafin profesional i japin përparësi kompanive të mëdha dhe të certifikuara, duke e bërë këtë tender jo vetëm sfidues për pjesëmarrje të gjerë, por edhe të diskutueshëm për nga ligjshmëria dhe transparenca. /Demokracia.com/