Komuna e Prishtinës fiton betejën ligjore ndaj ministrit Elbert Krasniqi, reagon Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ngritur nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, lidhur me organizimin e aktiviteteve “Akull n’verë dhe Verë n’dimër”.

Sipas Ramës, kjo përpjekje e Qeverisë për të ndalur organizimin e këtyre ngjarjeve sezonale ka dështuar plotësisht, pasi kallëzimi penal ndaj tij dhe Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Lokale “SportMarketing”, Bardh Krasniqi, është vlerësuar si i pabazë.

“Kallëzimi penal i ngritur nga Ministri i MAPL, Elbert Krasniqi, ndaj Kryetarit të Kryeqytetit Përparim Rama dhe Kryeshefit të NPL ‘SportMarketing’, Bardh Krasniqi, në lidhje me procedurat e organizimit të tregut veror dhe dimëror ‘Akull n’verë dhe Verë n’dimër’, u vlerësua si i pabazë dhe u hodh poshtë në tërësi”, ka deklaruar Rama në një postim në rrjete sociale.

Ai ka shtuar se këto përpjekje të cilësuara si politike përmes drejtësisë nuk po japin efektin e synuar.

“Këto përpjekje të organizuara përmes instrumenteve të drejtësisë, të shtyra nga motive të qarta politike, nuk po arrijnë të prodhojnë efektin që synohet – sepse po përplasen me fakte, me profesionalizëm institucional dhe me vlerësimin objektiv të drejtësisë,” ka thënë Rama.

The post Komuna e Prishtinës fiton betejën ligjore ndaj ministrit Elbert Krasniqi, reagon Rama appeared first on Kosovapost.net.