Komuna e Obiliqit inspekton termocentralin Kosova B, i kërkohet ministrive të marrin masa për ndotjen

Komuna e Obiliqit ka bërë të ditur se Drejtoria për Mbrojtje dhe Mjedis të mërkurën ka kryer një inspektim në termocentralin Kosova B (TC B).

Në një postim në Facebook thuhet se është parë nga afër se nga tymtari lirohet një tym dhe pluhur, ku dyshohet se ka edhe shkarkime të gazrave dhe pluhurit.

Sipas komunës, kjo është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, Ligjin për Obiliqin, Direktivën 2001/80/EC, si dhe udhëzimin administrativ për rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes.

“Duke i pasur këto fakte, kërkojmë nga Ministria e Ekonomisë, MMPHI-ja dhe KEK-u që të marrin masat e duhura për t’iu përmbajtur ligjeve, direktivave dhe udhëzimeve në fuqi. Në të kundërtën, Komuna është e obliguar të marrë hapa të mëtutjeshëm për mbrojtjen e qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e komunës.

Ndër tjera, shtohet se Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit është në monitorim të vazhdueshëm të ndotjes që po shkakton Korporata Energjetike e Kosovës, dhe se kjo situatë, sipas komunës, është e papërmirësuar dhe se po vazhdon përgjatë dy viteve të fundit.

“Nëse vazhdohet me tejkalim të parametrave, ne do të veprojmë sipas Ligjit për Obiliqin dhe udhëzimeve në fuqi”, pohon kjo komunë.